A duhet të hapen shkollat në Shqipëri? Prindërit të shqetësuar për infektimin e fëmijëve, flasin ekspertët e shëndetit

Kur duhen dhe pak javë të nisë viti i ri shkollor, i gjithë shqetësimi i prindërve është rreziku i infektimit dhe transmetimit të virusit covid 19.

Ndryshe nga vendet e zhvilluara ku studimet tregojnë për një transmetim të kufizuar të virusit në institucionet arsimore, në shkollat shqiptare rreziku është shumë i madh, sidomos nëse infeksioni nuk zbulohet dhe ekspozimi është i gjatë.

Në kushtet e Shqipërisë, kur klasat mbipopullohen me nga 30-40 nxënës, kur transporti urban nuk siguron kushtet për një udhëtim në masa të rrepta anticovid (akoma sheh udhëtarë pa maska brenda në urban), kur mungon stafi shëndetësor dhe për çdo urgjencë të nxënësve lajmërohet prindi ose shërbimi i urgjencës, rrisku i përhapjes së infektimit nga koronavirus është i lartë.

Nëse dikush ka dyshim, mjafton të kujtojë situatën e shkaktuar nga virusi i gripit ku shkollat e kopshtet kanë qenë vendet më të rriskuara për tu infektuar.

Por a duhet të hapen shkollat?

Vetë ekspertët janë në dilemë. Profesori i njohur i shëndetit Ilir Alimehmeti thotë se situata në shkolla mund të menaxhohet nëse rritet ndërgjegjësimi komunitar.

Alimehmeti thotë se nëse implementohen gjithashtu strategjitë e higjienës dhe të mitigimit dhe qëndrohet në shtëpi nëse fëmija shfaq simptoma, po ashtu nëse kryhen testime herët dhe gjurmohen kontaktet, transmetimi i virusit në institucione mund të jetë i kufizuar.

Ndërsa ekspertë të tjerë të shëndetit publik thonë se në një kohë kur numërohen 140 raste të reja pozitive, hapja e shkollave nuk është e rekomandueshme dhe zgjidhja më e mirë do të ishte mësimi online.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT