A ka sy z. Klosi për të parë Syrin e Kaltër?

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi, këtë mëngjes e nisi me një foto në profilin e tij në Facebook, siç është bërë zakon tani nga një pjesë e mirë e kabinetit.
Ai shpërndau një fotografi të Syrit të Kaltër, i cili është monumenti natyror më i rëndësishëm përgjatë aksit nacional Gjirokastër- Sarandë. Ky vend numëronte deri një vit më parë, para pandemisë, rreth 2000 vizitorë në ditë.
Ajo që të bën përshtypje është se si një ministër turizmi, poston foton e Syrit të Kaltër ku prej disa vitesh lëngon nga një rrugë jo më shumë se dy kilometra, e cila është tërësisht e amortizuar.
Janë të shumtë turistët që sa herë që e prekin këtë bukuri natyrore ankohen për rrugën që i çon drejt tij.
Syri i Kaltër, përveç ujit të kristaltë, që buron nga thellësia, nuk të ofron asgjë tjetër: një rrugë copë-copë, plehra të shumta rreth tij, një vend që më shumë duket sikur është kthyer në banjë publike, se sa në një pikë turistike.
Në hyrje të tij të afrohet një zotëri që të pret biletën për ta parë këtë bukuri natyrore, por ku shkojnë këto të ardhura që vijnë nga biletat?
Sikur vetëm ato të shfrytëzoheshin, Syri nuk do të kishte nevojë për asnjë fond shtesë për të patur një rrugë dinjitoze dhe një infrastrukturë të përshtatshme për të pritur turistë.
Si guxon një ministër të kërkojë vëmendje në rrjetet sociale nga bukuritë natyrore, a thua ka ndonjë meritë për këtë fakt?! Përveç meritës së të qënit indiferent dhe meritës së shkatërrimit, asgjë tjetër nuk ka! Është bërë zakon tashmë, nga një pjesë e mirë e kabinetit qeveritar që postojnë foto nga vendi ynë, foto të cilat tregojnë bukuritë natyrore, për të cilat përveçse i kanë shkatërruar nuk kanë bërë asgjë në shërbim të tyre.
Blendi Klosi përpara disa ditësh postonte gjithashtu një foto ku tregohej një pamje spektakolare nga mali i Tomorit, po përse ky zotëri nuk poston anën tjetër të malit, ku është kafshuar i gjithi nga ata të cilët e përdorin malin për t’i marrë gurin.
Mali i Tomorit, i shpallur Park Kombëtar është ndër më të rrezikuarit në vend për sa i përket shkatërrimit që po i behet nga dora e njeriut. Sigurisht që z. Klosi është në dijeni për këtë pasi nuk besojmë se i mban sytë mbyllur kur shkon dhe e viziton, po pse nuk e ndalon këtë masakër mjedisore, pse? Apo verë tani…!/e.r/dita




