Athina kërkon zgjerim 12 milje në detin Jon, Rama replikon me komentuesit: Nuk falen detet e tokat si rroba or mik

Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i vendit, thotë se “detet e tokat nuk falen si rroba”.
“Detet e tokat nuk falen si rroba”. Kështu i përgjigjet kryeministri Edi Rama një komentuesi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, i cili e pyet nëse “ujërat detare të Shqipërisë ia ka falur Greqisë”.
Madje kreu i qeverisë, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i vendit, e fton komentuesin që të dëgjojë e të lexojë si dhe të ruhet nga gënjeshtrat.
“Te rrofte Skenderbeu ne balle kur ne koke ke Saliun dhe flet per “falje detesh” sikur flet per falje rrobash! Hajde shqipe hajde! Nuk falen detet e tokat si rroba o mik, prandaj para se te flasesh per tema te tilla, ulu lexo, rri degjo, informohu e pastaj shprehu dhe ruhu nga genjeshtrat e medha se po te kapen ne gjume, i hengre e ike ne drejtim te paditur!”, shkruan Rama.
Ndërkohë kjo pyetje nga ana e këtij personi për Ramën vjen pas deklaratave të forta të kryeministrit të Greqisë, Kyrakos Mitsotakis, i cili tha se shteti i tij do të vijojë të shtrijë ndikimin deri në 12 milje edhe në detin Jon.
Mitsotakis u shpreh: “Ne po e rrisim Greqinë! Do të sigurojnë 12 milje edhe në detin Jon sipas të gjitha konventave ndërkombëtare. Asgjë s’na pengon neve që të arrijmë këtë”.