Covid çorienton kombëtaren shqiptare, trajneri Reja: Nuk dimë gjendjen reale të futbollistëve

Trajneri Edy Reja ka dalë në konferencë për shtyp për gazetarët mesditën e sotme, ku ka shpalosur planin e tij për dy kualifikueset e para të Ligës së Kombeve, ndaj Bjellorusisë në Minsk, më 4 shtator, dhe ndaj Lituanisë në “Arena Kombëtare”, më 7 shtator.
Ai ka pranuar situatën e paprecedentë që po kalojmë, e cila ka lënë pa ndeshje miqësore kuqezinjtë, ndaj të papriturat do të jenë të shumta, duke pasur parasysh jo vetëm gjendjen sportive të të ftuarve, por edhe atë shëndetësore, në kushtet e Covid-19.
“Po jetojmë një moment të vështirë, të paprecedentë. Nuk e dimë në çfarë gjendje janë lojtarët. Kam folur vazhdimisht me ta, disa i kanë nisur kampionatet e tyre. Uroj të jenë në formë të mirë dhe t’i bëjmë një nisje të mirë Ligës së Kombeve.
Po i shikojmë të gjithë lojtarët e skeduar, kudo të luajnë. Në listën e publikuar sot kemi lojtarë nga kampionate të ndryshme, me mentalitete dhe filozofi të ndryshme. Nuk është e lehtë t’i koordinosh brenda një ekipi, në kombëtare, me aq pak ditë që kemi në dispozicion për stërvitje”.
Një vlerësim edhe për kualifikimin e të gjitha skuadrave shqiptare në Kupat e Europës: “Momenti më i mirë për futbollin shqiptar? Është një moment i mirë, kanë kaluar turin klubet shqiptare. Futbolli këtu po rritet. Më vjen keq për Tiranën, pasi e meritonte ta kalonte turin në Champions. Kam folur edhe me presidentin Duka dhe po mundohemi të rrisim futbollin e moshave. Do të përpiqem të ndihmoj me aq mundësi sa kam”.