Covid në rënie të lirë, spitalet nuk kanë as gjënë më të rëndësishme, katër hapat që duhen
NGA ARTAN KONI

Me kalimin e ditëve, bëhet akoma më e qartë për publikun ajo që kemi thënë kohë më parë: Situata e COVID në rënie të lirë!
Gjurmimi e testimi nuk funksionon as për familjarët e rasteve pozitive të shtruara ne spital, jo më për familjaret apo kontaktet e atyre pozitiveve asimptomatike.
Spitalet COVID nuk kanë gjënë më të rëndësishme: burimet njerëzore. Çdo ditë e me shume po kuptojmë më sa pak personel përpiqen të funksionojnë këto spitale. Kemi mjekë e infermierë të sfilitur, të cilët punojnë si gladiatorë për të përballuar pavionët plot.
Logjikisht, spitalet 3 dhe 4, të cilat u lançuan me aq bujë e krenari nga ministria, nuk futen në pune pikërisht për këtë arsye: mungesa e burimeve njerëzore. Nëse nuk do ketë masa inkurajuese e lehtësuese për punën e personelit mjekësor, patjetër që mungesa e tyre do të vijë duke u rritur.
Nuk ka problem që nuk zgjidhet, mjafton vullneti politik. Gjendja do menaxhohet shume me mire nëse:
1- Do rriten fondet për menaxhimin e pandemisë, sepse pa para nuk shton dot as teste e as bazën materiale te nevojshme. Ka shumë koncesione jo të domosdoshme të cilët mund të anulohen. Nëse nuk është primare shëndeti publik, çfarë është?
2- Do rritet numri i shtretërve dhe personeli në dispozicion. Për këtë do duheshin përsëri para, jo vetëm për të plotësuar bazën materiale, por edhe për t’ia bërë më të lehtë personelit mjekësor barrën e kësaj pandemie.
3- Do aktivizohen mjekët e familjes. Aktivizim nuk do të thotë që ata thjesht të vizitojnë, por të ndjekin pacientët e një zone të caktuar duke vendosur kujt duhet t’i bëhet tamponi, cili pacient ka nevoje për t’u shtruar në spital, etj,etj . Patjetër që mjekët e familjes do të kërkonin shumë më shume teste në rang republike, teste të cilat do bliheshin me leket e koncesioneve…por një zonë e vogël diku ndiqet më mirë nga mjeku lokal, se sa nga zyrtarët e ISHP-se në Tiranë.
4- të futen spitalet rajonale në funksion të këtyre pacienteve, duke krijuar një departament të veçantë për ta. Përderisa në spitalet COVID 1 dhe 2 nuk po i japin pacientëve mjekime specifike për këtë sëmundje, nuk ka arsye përse këto mjekime nuk mund te jepkan nëpër spitale rajonale. Nuk ka problem qe nuk zgjidhet, mjafton vullneti politik!