Dy shqiptarë dhe një kinez / Bisedë mbi reformat që e kthyen Kinën në superfuqi. Ku gaboi Enver Hoxha, çfarë i mungon politikës shqiptare prej 30 vjetësh

Nga Servet Pëllumbi
Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht. Në se ndodh diçka, kjo kështu ka qenë menduar – F. Ruzvelt
Biseda e lirë në kafe “Niagara” me Vanin, ish-korrespondentin e HSINHUA-së në Shqipëri (emri i plotë Wang Hongçi) dhe me Xhevdet Shehun, gazetarin e DITA-s dhe mikun e vjetër të Vanit, nisi me kujtime për miqësinë e ngushtë të dikurshme shqiptaro-kineze dhe vazhdoi për transformimin mbresëlënës të RP të Kinës, për reformat e projektuara nga Ten Hsiao Pini, për përmbajtjen konceptit të socializmit me ngjyra kineze, si dhe për shanset e humbura të Shqipërisë për faj të udhëheqjes së kohës, e cila ndërpreu marrëdhëniet miqësore me RP të Kinës në vitin 1978.
Biseda para filxhanit të kafesë nisi si rastësisht.
– Më kujtohet, u thashë Vanit dhe Xhevdetit, se kisha një vit që isha transferuar nga Shkolla e Partisë, ku isha shef i katedrës së Filozofisë, në KQ të PPSH-së. Në 18-22 dhjetor 1978 u zhvillua Plenumi i KQ të PKK. Ten Hsiao Pin mori mandatin e partisë në pushtet për të venë në jetë politikën e vet me emrin “hajhe kaifan” (Reforma dhe transparencë). Pata rastin, për shkak të detyrës, të njihem me materialet e atij Plenumi.
Më kujtohet, që Teni në strategjinë e vet, e vinte theksin tek katër modernizimet: 1. Modernizimi socialist i ushtrisë, 2. Modernizimi i bujqësisë; 3. Modernizimi i shkencës; 4. Modernizimi i industrisë. Spikaste heqja dorë nga ideologjia në plan të parë, duke e mbuluar këtë me filozofinë e praktikës si kriter i vetëm i së vërtetës! Mbi këtë bazë, Teni shtronte një program më të gjerë e më konkret prej 12 pikash. Ndërkaq, prioriteti i ekonomisë mbi ideologjinë, u paraqit dhe u miratua në plenumin e dhjetorit 1978. Nuk e fsheh, kjo na dukej atëherë herezia më e rrezikshme! Në të vërtetë këtu merrnin fill reformat e transparencës, përpunuar nga Ten Hsio Pini.
– Kjo, – tha Xhevdeti, – përligjej edhe me nevojën e kapërcimit të pasojave shkatërruese të “Hopit të madh” dhe Revolucionit Kulturor që filloi në vitin 1965. Këtë udhëheqja jonë, siç dihet, nxitoi ta adaptojë tek ne në formën e luftën kundër burokratizmit, shkurtimit të oborrit kooperativist, ndalimin e fesë etj. Madje quhej edhe “Hop drejt komunizmit”!!! Ndërkaq, kur kinezët nisën ndreqjen e gabimit, PPSH, duke i quajtur edhe kinezët revizionistë, prishi marrëdhëniet me RP të Kinës dhe me fanatizmin e vet ideologjik, e çoi Shqipërinë drejt katastrofës.
Ndërhyra unë, duke shtuar:
– Kjo, Xhevdet, përbën për mendimin tim, gabimin më të rëndë të udhëheqjes tonë të asaj kohe të kryesuar nga Enver Hoxha. Më kujtohet që në një artikull të gjatë kritik, Ten Hsio Pini shpallej buharinist, pra dhe i rrezikshëm për të ardhmen e socializmit. Këtu kishte diçka reale. Në vitin 1926 kur Teni studionte në Moskë, i kishte tërhequr vëmendjen parulla e Buharinit “Pasurohuni” që u quajt keqkuptim i NEPP-it dhe u hoq dorë nga frika se prona private pjell kapitaizmin çdo ditë, çdo orë e çdo minutë (Lenin). Kjo ishte nisje e gabuar e ndërtimit socialist në BS!
Fakt është se kinezët ndërruan kurs që në vitet ‘70. Ten Hsiao Pini do të deklaronte prerë: Të mësojmë të ecim sipas civilizimit të “Tigrave të Azisë”, Singaporit, Koresë së Jugut dhe Tajvanit. Model i afërt me civilizimin Konfucian. Koncepti “Sao kan” (Që të gjithë të kenë diçka, pra një pasurim të moderuar). Thënë ndryshe: drejtim sipas parimit të familjes dhe prioritetit të shtetit dhe të shoqërisë. Kurse, liberalizmi perëndimor, siç dihet, theksin e vë tek prioriteti i individit.
Sfida tjetër e madhe. Ai, Teni, diti të nxjerrë mësime edhe nga teoria e konvergjencës, që lindi në Perëndim nën ndikimin e lëvizjeve të majta të rinisë të vitit 1968. Kurse të tjerët, “përtypnin formula” duke e trajtuar një konceptim të tillë thjesht si përpjekje të kapitalizmit për t’i “shpëtuar revolucionit të shtruar për zgjidhje”! (E. Hoxha. Imperializmi dhe revolucioni, 1978). Pra, debat thjesht teorik, kurse vetëm Teni shkoi rrugës së praktikës, pragmatizmit. Teoria e maces që di të zerë minj, (Saktësisht: “nuk ka rëndësi nëse macja është e bardhë apo e zezë, mjafton që ajo të kapë miun”), ishte fabula e paraqitjes së “shpikjes gjeniale”, që i bashkëngjiste “kapitalizmit të egër”, Partinë Komuniste!
Vani, që po ndiqte debatin midis meje dhe Xhevdetit, deri tani në heshtje dhe i përqendruar, ndërhyri pas një pauze:
-Profesor, jini një njohës i shkëlqyer i politikës së Kinës. Nuk më befason kjo, se ju njoh dhe kam lexuar shumë nga shkrimet e botimet tuaja…
E ndërpreva duke i thënë: Van, jemi miq të vjetër, të lutem le t’i drejtohemi njëri tjetrit me “Ti”!
– Dakord, dakord, faleminderit. Atëhere po përfshihem edhe unë në debat. Po rimarr problemin e shtruar. Konvergjenca për Tenin përkthehej si rrugë për të krijuar një simbiozë të ekonomisë liberale të tregut me atë të planifikuar shtetërore, nën kontrollin e rreptë të Partisë drejtuese, pra të PK të Kinës. Model që doli reformues dhe i suksesshëm në praktikë. Ky model shërbeu si mbështetje teorike edhe për konceptin “Reforma dhe transparencë”, që e shndërroi Ten Hsiao Pinin në arkitekt të madh të reformave dhe të modernizimit të Kinës, për çka fitoi shumë popullaritet, brenda e jashtë Kinës.
-Shumë mirë, – e përgëzoi Xhevdeti, – por a mund të na thuash disa gjëra më konkrete, për shembull, nga ç’hapa nisi gjithë ai transformim?
– Po po patjetër, – tha Vani disi i ngazëllyer. – Gjithçka filloj me guxim, me “prishjen” e komunave duke ndjekur, jo rrugën e privatizimit, por formën qiramarrjes së tokës me afate të gjata, praktikisht të përjetshme. Fshatarët filluan të punojnë për vete dhe jo për komunën. Nisi të veprojë parulla: “Pasurohuni”! Rritje e bujshme e drithit, mishit etj. Inkurajim për rritjen industriale, sidomos në qytetet bregdetare të quajtura “Zona të posaçme ekonomike”. Formula taktike ishte: “të ecim me kujdes gur mbi gur” për të mësuar gjuhën dhe kulturën e tregut, sidomos të fitimit. Pas biznesit të vogël, – vazhdoi rrëfimin Vani, – vërshuan bashkatdhetarët super të pasur nga Tajvani dhe vendet e deteve të jugut, të cilët shfrytëzuan rrjetin e krijuar nga bizesi i vogël.
Më pas kapitalet nga Koreja e Jugut, Japonia e Perëndimi… Kuptohet, duhej treguar kujdes dhe në raport me ata që ishin për “pastërtinë e socializmit”.
– Për këtë qëllim Van, – ndërhyra unë, – mbase u përdor nga Ten Hsio Pini teza sipas së cilës socializmit për të fituar realisht i duhen 78 breza. Pra, u thoshte militantëve se nuk heqim dorë nga socializmi, që në rrugëtimin e vet të gjatë do të ketë ulje, ngritje, fitore dhe dështime, sulme dhe tërheqje të përkohshme.
– Tamam kështu, Profesor, dhe kjo, siç thuhet në gjuhën e bukur shqipe i “qetësoi gjakrat”
– Ide dhe konkretizime interesante miku im Van , – i tha Xhevdeti duke shtuar: – Është, pa dyshim, meritë e Ten Hsiao Pinit edhe përdorimi mjeshtëror i kundërvënieve SHBA-BS, vazhdim i “lojës” që nisi me Maon e Kisingerin, e njohur ndryshe si diplomacia e ping-pongut, për të vazhduar me vizitën Presidentit Nikson në Kinë në vitin 1972.
-Rusët, u thashë, ndërkaq përsëri u vonuan. Për kinezët rëndësi pati shndërrimi i sukseseve diplomatike në vlera materiale dhe burime për zhvillim. Edhe pse “pathosi anti imperialist” i Revolucionit Kulturor nuk u fashit shpejt, gjë që pengoi konvertimin në masën e duhur të sukseseve diplomatike në vlera materiale. Veçse, nuk u ndal si proces. Ndërkaq ne vazhdonim në rrugën e mbrojtjes së “kështjellës së pamposhtur në brigjet e Adriatikut”, shoqëruar me slogane dogmatike të tipit: “Edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim”! Kështu e dënuam me vdekje vetë socializmin, ose ndryshe e “mbytëm duke e përqafuar”!
– Kuptohet, nxitoi të ekuilibrojë kritikën time Vani duke thënë, se edhe tek ne nuk ishte e lehtë të kapërcehej dogmatizmi që reduktonte teorinë në një libër të vogël citatesh…
– Jo, jo – iu përgjigja, – vështirësia në rastin tuaj qëndronte në zgjidhjen e çështjes: si do të përputheshin të pa përputhshmet, si mund të bashkekzistonin, apo konvergonin dy sistemet e ndryshme ekonomiko-shoqërore. Thënë ndryshe, lëvizja mbi “dy shinat” e teorisë së ekuilibrit të Buharinit! Kurse tek ne vazhdonte inercia “e gërmës ideologjike”!
– Pjesa më madhe e ekonomisë kineze, – u “mbrojt” Vani, -ashtu si më parë vepronte në përputhje me ligjet e socializmit, në pjesën tjetër u lejua liberalizimi i tregtisë së brendshme e të jashtme, u rritën shpejt të ardhurat e popullsisë, u rrit lëvizja e lirë e mallrave dhe e njerëzve.
Ten Hsiao Pini u bëri thirrje qytetarëve: “Pasurohuni”. E gjitha kjo solli debate të ashpra në parti. Madje dhe revolta gjithandej. Viheshin në dukje karakteri kontradiktor i politikës “Reforma dhe transparencë”. Rreziku i shndërrimit të kontradiktave në konflikte antagoniste ishte eminent. Vendi ziente, ishte në prag të një lufte civile. Prandaj i jepej rëndësi propagandimit të tezës së Kongresit XII, (shtator 1982), që kërkonte ruajtjen e sistemit socialist.
Mbi këtë bazë Teni propozoi një formulim kompromisi: adoptimin e formulimit “socializëm me specifikë kineze”, (apo me ngjyra kineze). Ky kompromis realisht frenoi disi procesin, por u pranua, sepse u shoqërua me zhvillim të ekonomisë me ritme të larta. Ama, shpëtimi erdhi nga mbështetja e popullsisë dhe e sipërmarrësve.
– Gjithsesi, më kujtohet, u them, që arkitekti i reformave “për të ulur gjakrat”, mori mbi vete përgegjësinë dhe u tërhoq nga të gjitha postet. Nisi ajo që u quajt “periudha e ndreqjes së gabimeve”. Teni u nis në udhëtimin historik në jug të Kinës. Mbështetja që gjeti nga popullsia e frymëzoi “plakushin” dhe të shumëvuajturin Ten, për t’i dhënë një frymëmarrje të re strategjisë “Reforma dhe transparencë”.
– Van, tani le ta lemë pas historinë e atyre viteve vërtet dramatike dhe të vijmë tek realiteti i sotëm, tek ajo që edhe nëpër botë ka filluar të quhet nga studiues e specialistë “Ëndrra kineze: Epokë ere”. Kurse tek ne, – shtoi Xhevdeti, – shohim dyzimin midis nostalgjisë për disa arritje të socializmit shtetëror dhe lodhjes e zhgënjimit nga iluzionet e ekonomisë së tregut dhe demokracisë liberale…
– Dakord, – tha Vani, duke mbledhur supet. – Sot në Kinë, vazhdoi ai, punohet për një plan të ri mobilizimi. Presidenti Xi Jinping, libri i të cilit u promovua dje tek Muzeu historik Kombëtar këtu në Tiranë, mbron tezën se kushtet e reja kërkojnë një model të ri ekonomik që emërtohet “Norma e re”.
Thelbi i saj: Përfundoi periudha e sulmit për ritme të larta, që lejoi zhvillim jo proporcional të ekonomisë që kërkonte: 1.Sakrifikimin e interesave të popullsisë dhe mjedisit; 2.Fillon koha e një cilësie të re në strukturën ekonomike, balancim midis degëve dhe provincave, rritja e efektivitetit të investimeve, pakësim të mbetjeve. Më tej: luftë korrupsionit, disiplinim të sistemit të pushtetit partiako – shtetëror. Qëllimi është që rritja e “kredisë së besimit” tek Partia Komuniste Kineze, të garantojë ngritjen në një stad të ri të frymës e krenarisë kombëtare, për t’i “zgjeruar” rrugën realizimit të plotë “ëndrrës kineze”!
Duke mbështetur fjalët e Vanit, shtova:
– Unë mora pjesë në promovimin interesant të librit të Presidenti Xi Jinping, madje Van, i kam lexuar disa pjesë të tij. M’u duk realist dhe me vlera jo vetëm njohëse të modelit dhe të së ardhmes së tij. Kurse, vendet e tjera ish-socialiste vazhdojnë të hallakaten në gjetjen e modelit të ekonomisë së tregut. Përfshi dhe rastin tonë, ku partitë thjesht nuk dinë se çfarë kërkojnë, prandaj mendoj, se do të ishte më mirë që disa të vërteta, tashmë të provuara duhen thënë më hapur. Ajo që ka ndodhur e po ndodh në Kinë është mbresëlënëse, sidomos zhvillimi i vrullshëm dhe rritja ekonomike për dekada me dy shifra, veçse ky nuk është më socializmi etatist, që dështoi gjithkund.
Kina e sotme është një vend modern me ekonomi të përzier, por që vazhdon të udhëhiqet nga PK kineze, e cila ka ditur të lejojë edhe një lloj pluralizmi politik, le të themi me “ngjyra kineze”, pra me disa veçori suksesi, si model që të tjerët e shohin me zili e xhelozi, por që ata që janë mësuar me “modelin perëndimor”, nuk e adoptojnë dot.
Kështu, për të dalë nga kriza nuk arrijnë të kuptojnë rolin e gërshetimit të tradicionales me modernen, siç ndodh në Kinë me mbështetjen në disa parime të filozofisë së Konfucit, duke hequr dorë nga disa idealizime të filozofisë politike të liberalizmit që sot, sipas mendimit tim, ka prekur në fundin e vet. Libri im “Fundi” i filozofisë politike”, që po ta dhuroj Van, përmban diçka për këtë që porsa thashë.
Xhevdeti, të cilit ia pata dhuruar librin ditë më parë, nxitoi ta shtrojë çështjen në një rrafsh tjetër teoriko-politik në formë pyetjesh interesante e nxitëse për debatin e mëtejshëm.
– Profesor, a kemi të bëjmë me realizim të teorisë së konvergjencës të viteve ‘70-80 të shekullit të kaluar, të konvergjencës midis kapitalizmit dhe socializmit edhe në rastin e rrugës që ka bërë RP e Kinës gjatë këtyre 40 vjetëve të fundit? A mund të quhet një nga eksperimentet më madhore në shkallë botërore “socializmi me specifikë kineze” dhe Kina e sotme simbol i “socializmit të tregut”?
– Nuk mendoj, u them, se është formë e konvergjencës në kuptimin që kishte ky term në vitet ‘70-80 të shekullit të kaluar, kur përplaseshin “dy kampet” e kundërta. Më tepër kemi të bëjmë me një strategji specifike kineze. Komponentë të kësaj strategjie janë: arritja e “socializmit të tregut” me ngjyra kineze (një shartim i socializmit demokratik të socialdemokracisë); krijimi i shoqërisë së mirëqenies së përgjithshme; pasurimi i të gjithëve pa privatizuar sektorët kyç të ekonomisë kombëtare; lufta kundër korrupsionit etj. Si rrugë kryesore vlerësohen stimulimi i biznesit me anën e një sistemi kreditimesh vendore me interes fare të ulët, rritja e efektivitetit të investimeve, kthimi i vëmendjes ndaj kërkesave të tregut të brendshëm dhe ngushtimi i dallimeve ndërmjet rajoneve, popullsive të qytetit dhe fshatit.
Në një strategji të tillë, prioritare sipas propagandës kineze, është gërshetimi i disiplinës ideologjike me traditat e drejtimit të shoqërisë sipas “parimit të familjes” të përpunuar shekuj më parë nga Konfuci, rritja e “kreditit të besimit” ndaj Partisë drejtuese (PKK). Kjo, sipas meje, quhet Mrekullia kineze, që shihet me zili e frikë nga fuqitë e tjera pretenduese për lidership botëror, sepse integrimi i Kinës në ekonominë globale nuk po çon në asnjë lloj konvergjence me rendin liberal perëndimor. Kjo e bën RP të Kinës një rivale strategjike të fortë në konkurrencën ekonomike botërore.
Prandaj, në Kinë ka optimizëm të motivuar, ekonomia po zhvillohet 2-2.5 herë më shpejt, gjë që i hap rrugën e superfuqisë dhe të “liderit global” brenda disa vjetëve, dhe jo me dekada, siç thuhej nga Kisinger, Brzezhinski etj. Po kështu, “Perëndimi kolektiv” ka humbur në raport me Kinën, jo vetëm në rrafshin e krijimit të intelektit artificial, por para së gjithash në rrafshin e organizimit social.
– Po ju ndërpres, profesor,- ndërhyn Xhevdeti. – Për ta konkretizuar superioritetin e Kinës në arritjet me karakter social, po i referohem një skede. Në vitin 2018 morën arsimin e lartë 36 milionë studentë; Kina është në vendin e parë për nga numri i studentëve të diplomuar jashtë, kryesisht në Perëndim, rreth 600 mijë, dhe ka pranuar 489 mijë studentë të huaj. Sot në Kinë mbi 350 milion njerëz janë me arsim të lartë, mbi 100 milionë shkencëtarë dhe inxhinierë. Më 2017 kinezët kishin numrin më të madh të “superkompjuterave”, kurse Firma e njohur Huawej po konkurron me sukses Apple-in amerikan.
– Po, Xhevdet, solle të dhëna interesante, që dëshmojnë se sukseset ekonomike kanë bazë të fuqishme dhe se zhvillimi i vrullshëm i të RP të Kinës ka rëndësi, jo vetëm për popullin kinez, por dhe për mbarë njerëzimin. Kina po demonstron, jo vetëm një çudi ekonomike, por dhe një model civilizimi. RP e Kinës ia arriti t’i përdorë me sukses mundësitë e ofruara nga globalizimi të harmonizuara edhe me stratagjemat tradicionale të kulturës kineze. Pra ka histori, kulturë e sistem tjetër të menduari, por dhe tradita të tjera. Por mbi të gjitha një konsensus të brendshëm që i jep RP të Kinës superioritet.
Megjithatë, Xhevdet, le të na i thotë Vani, se si Mrekullia kineze do të mund të frenojë në të ardhmen thellimin e kontradiktave sociale dhe rrezikun e korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit, apo mplakjen e popullsisë me strategjinë e sotme“një familje një fëmijë”, gjë që 20-30 vitet e ardhshëm mund të ndikojë negativisht në rritjen ekonomke…!
Ndërkaq Vani qeshi, siç dinë të qeshin kinezët në raste të tilla dhe ndërroi temë!
-Profesor, tha Vani, ka ardhur një grup xhirimi i Radio Pekinit dhe duam një intervistë nga ju, se ta dini, jeni shumë i njohur në Kinë, kini shkruar e botuar në Zhenminzhibao që kur unë isha korrespondent i Hsinuasë në Shqipëri, pa folur për mbresat e vizitës që bëtë në Kinë si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në korrik 2004. Jini edhe njohës i mirë i filozofisë së lashtë kineze!
-Tunxhë Van, iu drejtova me të qeshur, me këtë paraqitje që i bëre kërkesës është vështirë të refuzosh! Kuptohet, rashë dakord me propozimin dhe e lamë takimin me Wang Lej (“Shpresën”), shefe e redaksisë së Radios së Jashtme të Pekinit që kryeson grupin e gazetarëve dhe të xhirimit. Si Vani edhe Shpresa, (emri shqip i saj) kanë mbaruar Universitetin e Tiranës dhe flasin shumë mirë gjuhën shqipe.
(Shënim:Takimi dhe intervista e gjatë kryesisht për historikun e miqësisë shqiptaro–kineze dhe të ardhmen e saj për Radio Pekinin, u realizua në lulishten e hotel-park Rogner, më 3.06.2017.)
——
Botuar në DITA.