FAKSIMILE: Njollë boje e derdhur “aksidentalisht” mbi dokumentin zyrtar të Gjendjes Civile, kështu Ndroqi dhe familjarët zhdukën identitetin e mëparshëm

SPAK, (Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion), njoftoi sot se ka vendosur masën e sekuestros mbi pasuritë e shtetasit Ylli Ndroqi, i njohur si biznesmen dhe pronar i një televizioni.
Në njoftimin e publikuar nga SPAK thuhet se rezulton se zoti Ndroqi, emri i mëparshëm i të cilit ka qenë Xhemail Pasmaçiu ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe pasuritë e tij janë përfituar nga trafiku i drogës që sipas SPAK, Ndroqi ka patur në vendin tonë, në Turqi dhe në Itali.
Bie në sy që SPAK konfirmon se Ylli Ndroqi është shtetasi Xhemail Pasmaçiu, i dënuar në Turqi për trafik droge, akuzë të cilën zoti Ndroqi e ka mohuar ashpër sa herë i është vënë në dukje publikisht.
Por portali CNA, drejtuesi i të cilit, Elvi Fundo ka një histori të hershme përplasjesh me biznesmenin, ka publikuar dokumente nga njësia bashkiake nr. 2 në Tiranë dhe të dhëna nga Drejtoria e Gjendjes Civile në Shqipëri.
Dokumentet e mëposhtme tregojnë se regjistri i të dhënave familjare në Njësinë 2 është shkatërruar.
Sipas fotos të mëposhtme kjo ka ndodhur në 20 tetor 2006, ku punonjëset e zyrës kanë mbajtur dhe një proces verbal. Boja mbi regjistër duket qartë që më shumë se “aksident”, duket si bojë e derdhur dhe e fshirë mbi dokument.

Lorena Mitre, si përgjegjëse e zyrës, Majlinda Kurti, Polikseni Gjika, Zamira Maci, Ilira Mërtiri në prani të përgjegjëses të Burimeve Njerëzore Alketa Shuli, kanë firmosur një procesverbal ku shkruajnë se në rregjistër është derdhur bojë dhe të dhënat janë transferuar.
Po të shikosh me kujdes dokumentin rezulton se e gjithë familja e zotit Ylli Ndroqi e ka mbiemrin Pasmaçiu, nga bashkëshortja tek njëri nga fëmijët.
Biznesmeni Ylli Ndroqi ka tjetër mbiemër nga familja e tij. Këtë e vërteton ky dokument. Por këto të dhëna të gjendjes civile nuk janë vetëm tek njësia bashkiake nr.2, aksident apo vepër penale për të fshirë disa të dhëna kjo nuk është hetuar kurrë.
Burime zyrtare konfidenciale nga Drejtoria ne Gjendjes Civile kanë deklaruar se të dhënat për ndryshimet e emrit dhe mbiemrit të shtetasit Ylli Ndroqi janë në rregjistrin kombëtar dhe figurojnë të plota edhe në disa institucione të tjera.
I njëti burim ka theksuar se shtetasi Ylli Ndroqi ka ndryshuar në vite emrin e vendosur nga prindërit dhe mbiemrin e tij të trashëguar.

Në 30 prill të vitit 1993, fillimisht është ndryshuar mbiemri nga Pasmaçiu në Ndroqi duke marrë mbiemrin e fshatit të tij. Po në këtë regjistër figuron se në datën 23 janar të vitit 1997, është ndryshuar dhe emrin nga Xhemail në Ylli.
Nga të dhënat që dalin nga gazeta turke Hyrriet, rezulton se shtetasi Xhemalil Pasmaçiu është një person i arrestuar dhe dënuar për trafik droge në Turqi.