Fshehe Covid duhet të shkarkohesh? Përplasje të forta në Kosovë për kryeministrin Hoti

Deklarimi si i prekur nga Covid-19 nga ana e kryeministrit Avdullah Hoti ka shkaktuar polemika në Kosovë, ku shumë politikanë e kanë akuzuar atë se nuk është zbatuar rregullat e protokollet, duke mos u izoluar në kohë. Madje ata i kanë kërkuar shkarkiin nga posti i kryeministrit.

Këtyre akuzave iu është përgjigjur Hoti me anë të një postimi në Facebook, duke sqaruar akuzuesit. Ai shkruan se nuk ka pasur asnjë shqetësim serioz, përveç një kolle të lehtë gjatë së dielës, ku bashkëpunëtorët e kanë rekomanduar të testohet. Ai ka treguar se testimin e ka bërë rreth orës 16:00 dhe pas kësaj është vetizoluar.

“Edhe pse nuk kam pas asnjë shqetësim serioz, me paraqitjen e një kolle të lehtë të dielën, bashkepunëtorët më rekomanduan te testohem. Testimin e kam bërë të dielën rreth orës 16. Në momentin që jam testuar, jam izoluar në pritje të rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjekët  Sapo e kam marrë rezultatin, e kam bërë publik. Kushdo qe deklaron ndryshe nuk e thotë të vërtetën”, shkruan kryeministri Hoti.

Fshehe Covid duhet të shkarkohesh? Përplasje të forta në

Kundër tij pati një status nga ana e deputetes së Vetvendosjes, Mimoza Kusari Lila, e cila e akuzoi atë për mos respektim të protokolleve.

Deputetja kritikoi kryeministrin Avdullah Hoti pas vizitave të se dielës, duke thënë se duhej të respektonte protokollin e IKSHPK-së që pas testimit për COVID-19 personi duhet të izolohet.

“Pasi nuk u ndie mirë dhe pasi pati arsye të testohet, pse nuk u izolua z. Hoti? Pse ai bëri të kundërtën e protokollit i cili sugjeron se prej testimit deri tek marrja e rezultatit, personi izolohet? Pse z. Hoti pasi u testua doli në terren dhe takoi dhjetëra njerëz e biznese të cilët sot të gjithë potencialisht janë të rrezikuar e sigurisht disa prej tyre, nuk do t’iu jepet as mundësia për t’u testuar. Asnjëri nga ta nuk ia pat me borxh të marrë virusin nga Kryeministri”, shkruan deputetja.

Gjithashtu ajo i kërkon shkarkimin e tij nga postimi i kryeministrit për shkak të kësaj sjelljeje.

“Z.Hoti, nga zemra ju uroj të shëroheni ju dhe të gjithë ata që janë të prekur nga ky virus. Gjithashtu, uroj që sa më pak të keni shpërndarë virusin tek bashkëpunëtorët që ishin me ju në vizita dhe po ashtu tek ata që i vizituat. Ju asgjë nuk keni bërë për ta lehtësuar këtë pandemi në Kosovë që kur jeni në atë zyre, ndërsa, me dje, edhe fizikisht keni rrezikuar biznese dhe jetë njerëzish. Uroj asnjë tjetër mos të ketë virusin, ndërsa ju me sjelljen tuaj pasi të jeni shëndoshë na keni dhënë edhe një arsye për t’ju shkarkuar. Ndërsa, do të ishte shumë e duhur, sikur ju dhe qeveria të jepni dorëheqje vetë, të paktën do kishim një bindje se më në fund e kuptuat përgjegjësinë dhe jo përgjegjshmërinë tuaj”, shkruan Kusari.

Fshehe Covid duhet të shkarkohesh? Përplasje të forta në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ka dalë në përkrahje kryeministrit Avdullah Hoti, pas akuzave të deputetes Mimoza Kusari Lila, e cila thënë se Hoti, i cili ka rezultuar pozitiv në COVID-19 nuk i ka respektuar protokollin. Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se është edukatë elementare njerëzore që e kemi kultivuar në familjet tona, të respektojmë të sëmurin, duke e quajtur madje deputeten Kusari si “xhelatë”.

“Të ngritesh në mëngjes e ta kërcënosh Kryeministrin se do të shkarkojmë, pse të ka kapur virusi një ditë më parë, është kanibalizëm politik, një idiotizëm i skajshëm që kapërcen çdo normë njerëzore. A thua kështu i edukojmë fëmijët!! Strucat e kabinetit qeveritar, këshilltarët, ministrat por edhe bashkëpartiakët e Hotit dhe të mitë heshtin, sepse atyre nuk ua ka përmendur emrin xhelatja Kusari-Lila dhe se nuk do t’i hajë”, shkruan kreu i LDK-së.

Reagimi i dytë i Mimoza Kusarit

Deputetja e Kosovës reagoi sërish ndaj deklaratës së kryeministrit Hoti dhe i bëri sërish përgjegjës për situatën dhe mos izolimin në kohë duke i kujtuar marrjen e përgjegjësisë.

“Z. Hoti, nëse pretendoni të jeni Kryeministër i përgjegjshëm, atëherë, duhet të pranoni gabimet tuaja dhe pasojat që vijnë me to. Ju u sollët për t’u kritikuar z. Hoti, ju nuk respektuat rregullat dhe vazhdoni të mos mbani përgjegjësi për pasojat që i vuajnë edhe tjerët rreth jush. Andaj, para se të krijoni më shumë dëm se sa që keni krijuar deri më tani dhe para se të mos vijmë në ditën kur zyrtarisht jemi në katastrofë, thirrni ndërgjegjës dhe merrni përgjegjësi të cilat vijnë me postin të cilin pa legjitimitet e mbani”, reagoi deputetja.

Statusi i plotë

I nderuar z. Hoti,

Së pari edhe një herë për ditën e sotme, ju uroj të shëroheni sa ma parë dhe me sa më pak pasoja. Në veçanti uroj të mos ju mbetet zemërimi dhe gjuha agresive e bashkëpartiakëve tuaj të cilët u shëruan nga virusi.

Së dyti, përgjigja juaj për kohën e testimit dhe pritjen e rezultatit, nuk ju liron nga përgjegjësia që mbani. Përkundrazi, kjo përgjigje vënë në pah diskriminimin dhe injorimin që po u bëhet të sëmurëve dhe viktimave nga virusi në Kosovë.
Ka shumë familje që janë privuar nga e drejta e lamtumirës me më të dashurit e tyre si rrjedhojë e mos posedimit të rezultatit të testit, por vetëm se është dyshuar se ishin të infektuar, ata janë varrosur (ndonjëherë edhe në mbrëmje) të mbështjellë me najllonë në përcjellje të policisë. Pas dy dite është kuptuar se ishin negativ në dyshimin për infektim.

Së treti, ju nuk mund të zgjedhni të silleni në kundërshti me të gjitha rekomandimet e IKPSHK-së për qytetarët të cilëve nuk ju lejohen vizitat, ndërsa ju personalisht, vetë i 30-ti vizitoni biznese e përuroni rrugë sikur mos të ishim vendi me më së shumti viktima në Botë për kokë banori, e pastaj të pritni mirëkuptim dhe amnisti nga përgjegjësia kur kuptoni se jeni të infektuar.

Z. Hoti, nëse pretendoni të jeni Kryeministër i përgjegjshëm, atëherë, duhet të pranoni gabimet tuaja dhe pasojat që vijnë me to.

Ju u sollët për t’u kritikuar z. Hoti, ju nuk respektuat rregullat dhe vazhdoni të mos mbani përgjegjësi për pasojat që i vuajnë edhe tjerët rreth jush.

Andaj, para se të krijoni më shumë dëm se sa që keni krijuar deri më tani dhe para se të mos vijmë në ditën kur zyrtarisht jemi në katastrofë, thirrni ndërgjegjës dhe merrni përgjegjësi të cilat vijnë me postin të cilin pa legjitimitet e mbani.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT