Kosova në situatë të rëndë nga koronavirusi, Italia do të nisë një ekip ushtarak-mjekësor për t’iu ardhur në ndihmë

Koronavirusi ka “mposhtur” Kosovën, ku ditë pas dite shënohen shifra të larta të viktimave dhe rasteve të reja, duke përkeqësuar kështu situatën në vend.

Ndërkohë Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, ka zhvilluar një telefonatë me homologun italian, Luigi Di Maio, nga i cili ka marrë konfirmimin për ndihmën e Italisë në luftimin e pandemisë koronavirus.

Ministrja Stublla i ka shprehur mirënjohjen e saj homologut italian për kontributin e Italisë në shtet-ndërtimin e Kosovës, si partner strategjik, veçanërisht në aspektin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vend, përmes komandës së KFOR-it.

“Ministri Di Maio më konfirmoi që do të dërgojë një ekip ushtarak-mjekësor nga Italia në ndihmë Kosovës në luftën anti-COVID-19, dhe për këtë akt fisnik, e falënderova përzemërsisht.”- është shprehur kryediplomatja e Kosovës.

Gjatë kësaj bisede është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave, me ç’rast ministrja Haradinaj – Stublla kërkoi nga homologu i saj që Italia të vazhdojë të jetë zë përkrahës për të drejtën e Kosovës për lëvizjen pa viza, tani që me të drejtë qytetarët presin përmbylljen e këtij procesi.

Me rritjen e sotme numri i përgjithshëm i të sëmurëve ka shkuar në  9.688 që prej fillimit të shpërthimit të pandemisë, ndërsa numri  i viktimave ka shkuar në 300.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT