Krisja e madhe, kryetari i Kuvendit të Preshevës dorëhiqet dhe del nga koalicioni i krijuar nga Shqipëria

Kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Ai e jep këtë lajm përmes një postimi të gjatë ku flet dhe për arsyet ai ka bërë me dije se është larguar edhe nga koalicioni me Alternativën për Ndryshim, të partisë së kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi.
Mes të tjerash ai shkruan se një bashkëpunim apo marrëveshje, mund të funksionojë për sa kohë përpjekjet dhe kontributi i palëve është reciprok dhe proporcional.
Pas dorëheqjes së Salihu ka reaguar edhe krenarja e Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, Ardita Sinani.
Ajo deklaron se dorëheqja e Salihut dhe dalja e tij nga koalicioni qeverisës në Preshevë vërteton se PVD-ja kishte të drejtë në kundërshtimin e saj, pasi që sipas Sinanit, qeverisja qeverisje lokale ishte e dëmshme për interesin e përgjithshëm.
“Lajmi i dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit Komunal, z. Sami Salihu dhe dalja e tij nga koalicioni qeverisës në Preshevë vërteton se kishim të drejtë në kundërshtimin tonë sepse kjo qeverisje lokale ishte e dëmshme për interesin e përgjithshëm! Presheva meriton më mirë! Koha e Shqiprim Arifit ka perënduar! Fund pushteteve në shërbim të pasurimit të një njeriut dhe të njerëzve të tij të afërt! Presheva duhet të udhëhiqet me qeverisje të përgjegjshme, larg krimit të organizuar e korrupsionit dhe me duar të pastra”, ka shkruar ndër të tjerash Sinani.
Koalicioni i shqiptarëve u ngrit me ndërmjetësimin e Tiranës zyrtare për zgjedhjet parlamentare në Serbi. Sakaq në një postim të tijin, ministri i Jashtëm në detyrë, Cakaj do të shprehej: “Pas një pune të pakursyer e plot vullnet për të bërë më të mirën për Luginën e Preshevës, iu detyrohem edhe një falënderim të gjithë krerëve të partive politike që u bënë pjesë e marrëveshjes së unitetit, Shaip Kamberit, Sami Salihut, Shqiprim Musliut e, veçanërisht, Shqiprim Arifit, i cili gjatë gjithë procesit ka shfaqur jo vetëm një vullnet të madh për të bashkuar politikisht Luginën, por edhe gatishmëri për të vendosur interesat kombëtare përpara interesave partiake!”. Salihu është kryetari i LR-PDSH Preshevë dhe iu bashkua nismës për të konkurruar në bllok me koalicioin PVN në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Dorëheqja e plotë e Sami Salihut
Te nderuar kolegë, qytetarë, miq e dashamirë! Duke ju falënderuar, së pari për besimin dhe mbështetjen tuaj si edhe duke respektuar përpjekjet e përbashkëta por edhe ato të gjithësecilit në rrugën për një menaxhim sa më të mirë të pushtetit që populli na e ka besuar, me keqardhje ju njoftoj dorëheqjen time nga posti i Kryetarit te Kuvendit dhe daljen nga koalicioni.
Është një veprim që e ndërmarr pas një analize të gjatë të gjithë aktivitetit të deritanishëm në zbatim të marrëveshjes dhe angazhimit tim personal dhe te forcës politike që perfaqësoj. Një bashkëpunim apo marrëveshje, mund të funksionoj për sa kohë përpjekjet dhe kontributi i palëve është reciprok dhe proporcional.
Personalisht nuk mund të jem formalisht kryetar, pasi gjithë veprimtarinë politike e kam bazuar në ndihmesë aktive dhe të prekshme në çdo moment. Forca te cilën përfaqësoj, është po kaq aktive dhe bashkëpunuese, pasi përmbledh rreth saj zërin më reformator dhe më vizionar të shoqërisë sonë dhe si e tillë nuk mund të pranojë të jetë në skenën e pushtetit thjeshtë për të plotësuar numrat. Ky zë duhet te dëgjohet.
Njëanshmëria në vendimmarrje dhe ekzekutiv, e zhvlerësojnë marrëveshjen dhe e bëjnë atë të padobishme.
Ndaj, e ndjej si detyrë që me dorëheqjen time ti rikthej këtij kuvendi me një balancë numerike të brishtë, mundësinë që të rigjejë mënyrën për të funksionuar në rrugë sa më demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
Kjo dorëheqje nuk është dezertim nga angazhimi ynë para popullit, por përkundrazi është qëndrim besnik ndaj premtimit për të qenë ne pushtet për popullin dhe jo thjeshtë numra për të garantuar pushtetin. Duke ju uruar punë të mbarë dhe. Çdo të mirë!, ka shkruar në rrjetin social, Sami Salihu!