Legjenda kuqezi që tronditi Beogradin, flet Sokol Kushta: Tirana-Crvena Zvezda, politikanët të…

Disa orë para përballjes ndërmjet Tiranës dhe Crvena Zvezdës në Air Albania në Tiranë, flet për “Shqip” një nga specialistët e historisë së fitoreve të ekipeve shqiptare ndaj atyre të Beogradit.
Bëhet fjalë për legjendën e futbollit shqiptar, një nga yjet e padiskutueshëm të panteonit kuqezi, pikërisht Sokol Kushtën e madh.
Ish-futbollisti i Flamurtarit të madh që tronditi Beogradin me golin e tij “jashtëtokësor” nga 16 metra në stadiumin e Partizanit, dhe u kthye në një mit patriotik nga shqiptarët e Kosovës dhe trevave, sot bën thirrje për të lënë tonet politike dhe nacionaliste.
“Shiko vëlla, nuk ka lidhje ajo periudhë me këtë kohë, po flasim për kohë krejt të kundërta në kontekst, zhvillime dhe përfytyrime gjeneratash. Ne sot kemi një ndeshje ku Tirana jonë do të luajë me Crvena Zvezdën. I uroj me gjithë zëmër Tiranës që të arrijë fitoren dhe gjithashtu uroj të tregojmë se jemi qytetarë dhe t’ja lëmë rezultatin fushës dhe jo sheshit. Politikanët të bëjnë politikë aty ku duhet jo në fushën e blertë. Është e shenjtë dreqi e mori, jepen emocione, mesazhe paqeje e natyrisht konkurrence sportive. Ne si sportistë e kemi shumë të qartë dhe këtë e kanë treguar breza të mëdhenj sportistësh që janë sakrifikuar për të përcjellë mesazhin e përjetshëm olimpik”, shprehet Kushta për “Shqip”.
Legjenda e futbollit shqiptar, që është konsideruar si unik për sprintin fenomenal në zonë, ka luajtur me Flamurtarin, Partizanin e natyrisht me kombëtaren kuqezi. Ka qenë një nga futbollistët më fair play të vendit dhe para disa vitesh ka qenë edhe trajner i kuqezinjve të Flamurtarit.
Sot ai është një nga vëzhguesit e natyrisht dashamirësit e sportit, por dhe frymës sportive. Koshient për epopenë që firmosi me golin e tij në minutën e ‘76 në mbrëmjen e shtatorit 1987, ku ngriti peshë zermat e miliona shqiptarëve kudo në Shqipëri, trevave shqiptare dhe në botë, Sokol Kushta është sot më i bindur se kurrë që historia është histori, politika-politikë e sporti është sport.
“Jam shumë i kënaqur që Tirana jonë e madhe, kjo skuadër që i ka dhënë shumë futbollit tonë të fitojë dhe natyrisht jam i bindur që kjo fitore do të na bëjë nder të gjithë ne shqiptarëve.Le ta lëmë politikën në plan të tretë, ju lutem shumë, nuk ka lidhje ajo periudhë që ne luajtëm në Beograd me situatën e sotme. Le të jemi më mendjehapur dhe ta kuptojmë qartë mesazhin që duhet të japë sporti. Është emocion pozitiv dhe jo shfryrje negative. Aq më shumë që ne shqiptarët duhet ta tregojmë këtë shembull civilizimi. Kaq mund të them unë, por jam i bindur se kështu mendojnë të gjithë shokët e mi të Flamurtarit dhe kolegët në mbarë vendin”, thekson ikona e futbollit për “Shqip”./Shqip