Marrëveshja politike në Maqedoninë e Veriut, Cakaj: Është historike për herë të parë një kryeministër shqiptar

Ministri në Detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i ka shprehur urimet Maqedonisë së Veriut pas marrëveshjes historike.
Ai është shprehur se është historike që për herë të parë në Maqedoni do të ketë një kryeministër shqiptarë, qoftë edhe për 100 ditë si fillim.
Ndër të tjera ai është shprehur se marrëveshja e sotme hap një horizont të pashembullt për forcimin e shqiptarëve e zhvillimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.
Postimi i plotë:
Sapo kam zhvilluar një bisedë telefonike me z. Artan Grubi, Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së në Maqedoninë e Veriut, pas përfundimit të negociatave me partnerin e tyre të koalicionit, LSDM-në e Zoran Zaev.
Kam shprehur urimet më të sinqerta për marrëveshjen historike që do të mundësojë për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe vetëm 100 ditë si fillim. Po ashtu, krahas faktit se Kryetari i Kuvendit do të vazhdojë të jetë një shqiptar, mbetet arritje historike që diplomacia e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga një shqiptar.
Me një fjalë, marrëveshja e sotme hap një horizont të pashembullt për forcimin e shqiptarëve e zhvillimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.
Urime të gjithë shqiptarëve e falënderim të veçantë z. Ali Ahmeti e z. Artan Grubi për punën e vyer që kanë bërë në drejtim të forcimit të faktorit shqiptar, demokracisë e zhvillimit të brendshëm dhe proceseve euroatlantike në Maqedoninë e Veriut.
Me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh dhe punën e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian