Me makina luksi, Frontex zbulon skemën e trafikut të sirianëve në Shqipëri

Që prej fillimit të muajit qershor Policia i ka hedhur “grepat” në kufirin e gjelbër të Shqipërisë me Greqinë prej nga kalojnë emigrantët nga Siria, apo vendet e tjera të Ligës Arabe. Policia, përgjatë operacioneve të koduar “Perimetri” ka arrestuar disa persona që mundësojnë trafikimin e tyre përkundrejt vlerave financiare drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Por së fundmi, Frontex ka zbuluar një tjetër skemë. Sirianët, apo emigrantë të tjerë trafikohen me makina luksi. Trafikantë të ndryshëm i presin ata në kufi dhe përkundrejt vlerave të larta financiare mundësojnë udhëtimin për tek rrjetet e trafikantëve të tjerë.

E gjithë kjo sipas Frontex ka një qëllim. Policia më së shumti ushtron kontroll në mjete furgon, ose makina të tjera transporti dhe lë ato që konsiderohen mjete luksi, e që në pamje të parë nuk të krijojnë idenë se shoferët, apo pronarët e tyre mund të kenë si pasagjerë sirianë.

Trafiku i refugjatëve sirianë që hyjnë nga territori grek drejt Shqipërisë është rritur.  Sipas të dhënave policore kufitare shqiptare, trafiku i refugjatëve drejt Shqipërisë u rrit në vitin 2019. Rreth 915 refugjatë nga vende të ndryshme u bllokuan në pikat kufitare shqiptare.

Numri më i madhi refugjatëve të bllokuar u shënua në qershor-korrik, kur pati edhe një hapje të vendit, pas izolimit nga pandemia. Ndërsa për nga kombësia shtetasit nga Siria zënë pjesën dërrmuese të refugjatëve.

Ka nga ata refugjatët sirianë, të cilët me të hyrë në territorin shqiptar kërkojnë azil dhe trajtohen në një qendër të posaçme në Tiranë. Sipas të dhënave policore shqiptare në vitin 2019, numri i refugjatëve azilkërkues në Shqipëri u rrit në rreth 200 nga 134 persona që ishte në vitin 2018./Gazeta Shqip

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT