Me tuba në hundë dhe krahët e nxirë/ Flasin pacientët e shtruar në spitalin Covid/2 (FOTO)

Çdo ditë në vendin tonë po regjistrohen shifra të larta të të infektuarve me koronavirus. Ditën e sotme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu publikoi disa pamje rrëqethëse nga spitali Covid/2, ku po trajtohen pacientët në gjendje të rëndë.
Me tubat e oksigjenit në hundë, shumë prej tyre nuk arrijnë as të japin përgjigje kur mjekët i pyesin ‘si jeni’.
Duart e krahët për shumë pacientë shihen të nxira nga vigonët përmes të cilëve marrin ilaçet e serumet.
“Ia ke hedhur, e di 4 ditë ke ardhur e ti sot po më shef mua”, i thotë Shefja e Shërbimit të Pneumologjisë, prof. Silvana Bala njërës prej pacienteve.
Një tjetër paciente e shëruar, thotë: “Jam shumë shumë më mirë se ditën e parë që kam ardhur”.
“Tre ditë nuk ke ditur ku ke qenë”, i thotë Bala një gruaje të moshuar.
“Doktorët do më shpëtojnë, do më çojnë tek familja”, ia kthen ajo, që duket se ka shumë shpresë për jetën.
“Asnjëherë mos mendoni që kjo sëmundje është e lehtë. Është shumë e rëndë. Këta persona që shihni këtu, kanë qenë të shëndoshë, por në një moment, janë në vështirësi me jetën”, tha prof. Bala.