Nderimi i Meidanit nga njerëzit që nuk e njohën si President

Ilir Meta nderoi sot ish-kreun e shtetit Rexhep Meidani me urdhërin më të lartë të Republikës, “Urdhërin e Flamurit”, të cilin e ka marrë vetë Presidenti i SHBA-së Bill Clinton.

Ceremoni që “rastisi” me ditëlindjen e profesor Meidanit, një shkencëtar me emër të fizikës në Shqipëri, por edhe politikan e burrështetas; ka drejtuar Partinë Socialiste si Sekretar i Përgjithshëm nga viti 1996-1997 dhe shtetin shqiptar si President nga viti 1997 deri në vitin 2002.

Pas ikjes së tij si President, Rexhep Meidani nuk e pa më avenirin e tij politik, edhe pse kandidoi dy herë për kryetar të Partisë Socialiste; në vitin 2003 dhe në vitin 2005.

Pas dështimit, Meidani, u tërhoq në jetën e tij private, madje nuk u mor edhe me jetë akademike, kërkoi zyrë si ish-President dhe dilte në forume OJF-sh, duke folur për çështje politike.

Sot në ditën e 76 vjetorit të tij, Edi Rama, i cili në 2003-shin e cilësonte si “presidenti më i mirë”, i kushtoi një postim në Façebook, siç i kushton edhe emrave të tjerë të famshëm, që rastisin me kalendarin e përditësimit të rrjetit social.

Por në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, ra në sy mungesa e partisë së Zotit Meidani, apo më mirë të thuhet ish-partia e tij.

Ilir Meta kishte ftuar Sali Berishën, ish-Presidentin e Republikës, i cili në vitin 1997 nuk bëri dorëzimet e pasardhësit e tij, madje nuk e njohu politikisht, pasi e konsideronte si “President të bandave”, duke ju referuar zgjedhjes së tij në zonën e Cërrikut.

I vetmi pakt mes Berishës dhe Meidanit, natyrisht edhe Metës ishte viti 2002 kur pas shkarkimit të Kryeprokurorit Arben Rakipi, zgjodhën Theodhori Sollakun në krye të organit të akuzës, i cili pasi kishtë këshilluar Berishën, e bëri të njëjtën gjë për Meidanin. i cili natyrisht e dekretoi si prokuror të Përgjithshëm.

Në ceremoni, ishte ftuar Lulzim Basha lideri i Partisë Demokratike, por nuk dihet a ishte ftuar lideri i PS-së, Edi Rama apo ish-lideri i saj Fatos Nano, i cili e bëri President Rexhep Meidanin.

Edhe pse ishte i ftuar Preç Zogaj këshilltari politik i Meidanit, nuk u pa Sabit Brokaj, këshilltari për Sigurinë Kombëtare, apo ndonjë ish-ministër socialist.

Madje, në fakt u vu re edhe mungesa e kryetarit aktual të Kuvendit Gramoz Ruçi, ish-koleg i Meidanit në PS.

Por gjthashtu nuk ishte as Alfred Moisiu, Presidenti që i mori detyrën Meidanit, sërish nuk dijet se pse. Por ishte prezent Bamir Topi, ish-nënkryetari i PD-së i zgjedhur President i Republikës në vitin 2007.

Siç e tha edhe Presidenti Meta, përveç dekoratës, në ceremoni kishte edhe një tortë për ditëlindjen e Rexhep Meidanit. Por atë nuk e hëngri asnjë socialist.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT