Paratë e Maqedonisë Veriore në duart e shqiptarëve/ Gazetari maqedonas: Apartejd ekonomik!

Buxheti dhe paratë në Maqedoninë e Veriut do të jenë nën menaxhimin dhe kontrollin e tre zyrtarëve të lartë qeveritarë, të cilët do të kujdesen për ekonominë dhe financat e vendit.
Në Qeverinë e re që pritet të marrë dritë jeshile në Kuvend financat dhe ekonominë do t’i kenë tre ministra shqiptarë, dy nga BDI dhe një i propozuar nga LSDM, thotë agjencia e lajmeve INA.
Fatmir Besimi do të jetë ministër i financave, çka e bën këtë herën e dytë që një shqiptar mban postin në fjalë që nga pavarësia e vendit. Kreshnik Bekteshi do të jetë ministër i ekonomisë dhe Fatmir Bytyci, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, i propozuar nga LSDM.
Emërimet e tyre në këtë detyrë vijnë në një periudhë të vështirë për vendin që përballet me pandeminë e koronavirusit dhe pasojat e saj në rrafshin financiar dhe ekonomik, si dhe me rritjen e borxhit të jashtëm. Caktimi i kuadrove shqiptare në pozita të tilla kycë në qeveri nuk kaloi pa reagime në rrjetet sociale.
Gazetari maqedonas Ljupço Zlatev ka shkruar se kjo nënkupton një apartejd ekonomik, ku maqedonasit paguajnë tatime, që shqiptarët t’i harxhojnë paratë. Sipas tij, të gjithë portofolat ekonomikë janë në duart e ministrave shqiptarë.