Punësimi në hipotekë/ Artan Lame: Ej çuna, mos pretendoni për Drejtora, konkurroni se nuk fitojnë vetëm të partisë!

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame ka bërë të ditur disa pozicione të lira punë në drejtoritë rajonale të Kadastrës.
Sipas tij, në Drejtorinë e Kadastrës Krujë janë 7 vende të lira, në drejtorinë Pogradec 5, në Gjirokastër 4, në Lezhë 7 vende. Duhen inxhinierë (ndërtimi, arkitektë, gjeoinformatikë, topografë, gjeodetë) dhe pak ekonomistë.
Përmes një reagimi, Lame u bën apel të rinjve të heqin dorë nga ironia e fajsbukut, pasi konkurset nuk janë farsë dhe nuk fitohen vetëm nga bijtë e partisë.
“Drejtoria Krujë (që në fakt është në Fush-Krujë për shkak se shumica e problematikave janë poshtë në fushë) është fare pranë Tiranës, le më pastaj Fush Kruja, që është gati periferi e Tiranës. Dhe të mos ketë djem e vajza që të duan të shkojnë deri atje për të punuar!
Eshtë kollaj të bëhet ironi fejsbukjane me frazën e kryeministrit “Punë ka, po s’ka profesionistë”, por është e vështirë ta hedhësh poshtë atë në shumë raste.
Ej çuna, goca, jeta ka edhe të përpjeta. Nuk fillohet jeta direkt drejtor. Fillohet edhe si specialist i thjeshtë, pastaj pas disa vjetësh kur ke fituar eksperiencë bëhesh edhe shef sektori, e më pas po qeve i aftë edhe drejtor. Po fillojeni një herë.
Natyrisht që të zanatçinjtë e fejsbukut do ju shkurajojnë me të thënën se konkurset janë farsë, se i fitojnë vetëm bijtë e partisë, po ju bëni tuajën, ejani dhe do ta shihni.
Ndërkaq që po shkruaj, këto vende janë ende të lira duke ju pritur!
-Në Krujë janë 7 vende të lira;
-në Pogradec 5 vende;
-në Gjirokastër 4 vende;
-në Lezhë 7 vende.”, shkruan Lame.
Pavarësisht reagimit të Lames, shpesh ka patur denoncime në media, sesi postet publike mbushen vetëm me militantë partiakë, një praktikë që ndodh prej 30 vitesh në Shqipëri.
Mungesa e meritokracisë në Shqipëri, një prej plagëve më të thella, ka bërë që profesionistët të largohen drejt Evropës dhe SHBA-së.