Sa të sigurta janë testet për Covid? Përplasja e fortë PD-Qeveri

Opozita ka nisur një betejë të re kundër qeverisë duke e akuzuar për paaftësi në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemi e Covid-19. Përveç akuzave për mos ngritjen në kohë të infrastrukturës me dy spitalet Covid 3 dhe Covid 4, opozita ka fokusuar ofensivën e saj te mungesa e kryerjes së testeve masive, dhe çka është me rëndësishmja, mbi cilësinë e tamponëve.

Akuza u ngrit nga ana ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia, i cili theskonte se nëse te spitali shtetëror tamponi të nxjerr negativ, te privati të del pozitiv, pra që je i prekur nga Covid.

“Dy tamponët jepnin rezultat negativ. Personi mbas rreth një muaji i është drejtuar laboratorit privat për analizë serologjike, e siç shikohet, rezulton se ka prani të antitrupave Sars-Cov2 (IgG), që konfirmojnë se ka kaluar një infeksion. Pra personi ka pasur Covid, ndërsa 2 tamponët e bërë nga ISHP rezultonin negativë! Eeshtë problemi i njohur i tamponëve, që japin rezultat fals!”, shprehet Spahia.

Këtyre akuzave iu përgjigj Instituti i Shëndetit Pulbik, i cili shprehet se laboratorët janë të standardeve të larta të cilësisë dhe sigurisë, ndërsa shton se puna e specialistëve si dhe testet e përdorura janë të certifikuara.

Sipas ISHP, kitet dhe reagentët e përdorura prej saj janë të standardeve ndërkombëtare, duke e konsideruar deklaratën e Spahisë një krahasim absurd dhe një përpjekje dashakeqe për të bërë politikë me pandeminë.

“Në vijim të deklaratave të bëra nga një ish deputet i Partisë Demokratike, dhe të ndara më pas në faqen e kësaj partie, Instituti i Shëndetit Publik siguron qytetarët shqiptarë, se laboratorët tanë të kryerjes së analizave PCR, janë të standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë. Cilësia e punës së specialistëve të ISHP dhe testeve të përdorura në rastin e COVID-19, JANË TË ÇERTIFIKUARA! Kitet dhe reagentët e përdorura nga ISHP janë të standarteve ndërkombëtare, prodhuar nga kompani lider në sistemet dhe reagentet bioteknologjike, të ekstraktimit dhe amplifikimit të acideve nukleike. Me këto kompani punojnë të gjitha vendet e BE-së”, shprehet ISHP.

Më tej theksohet se “epidemiologët tanë të terrenit dhe ekspertët e shëndetit publik, si dhe ata të laboratorit të ISHP, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë të palodhur dhe shembullore, që nga dita e parë e pandemisë”.

ISHP e konsideron krahasimin absurd mes analizës PCR dhe testeve serologjike, një përpjekje dashakeqe për të bërë politikë me pandeminë. Padituria në dallimin mes testit PCR, dhe analizave serologjike – të cilat nuk bëjnë diagnostikim dhe saktësia e të cilave ende po vlerësohet kudo në botë – nuk duhet të shërbejë për të çoroditur qytetarët.

“ISHP hedh poshte çdo aludim mbi punën e kualifikuar të institucionit, dhe u kujton qytetarëve se Laboratori ynë i Virologjisë është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar, që siguron edhe kontrollin e cilësisë së tij. Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare të informacionit, kur duan të informohen në lidhje me ecurinë e pandemisë në vendin tonë”, përfundon deklarata e ISHP.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT