Shqipëria në flakë, disa vatra zjarri ende aktive në Gramsh, Rubik dhe pyllin e Semanit, nevojitet ndërhyrja e helikopterit

Vijojnë vatrat e zjarrit në disa fshatra të Shqipërisë. Mësohet se është ende nën flakë mali i Koshnicës në Gramsh. Për shkak të terrenit të vështirë, nevojitet ndërhyrja e helikopterit për shuarjen e flakëve në këtë zonë. Ndërkohë në Rubik, prej dy ditësh ka vatra zjarri në fshatin Molung, në Grykën e Qafë Thanës dhe nga autoritetet nuk është bërë asgjë për shuarjen e flakëve. Deri më tani në këto zona janë djegur sipërfaqe të tëra me pisha, lis, shkozë dhe gështenja.
Sakaq, vijojnë flakët edhe në Pyllin e Semanit dhe që prej ditësh që djeshme janë djegur disa hektarë me pisha.
Po kështu, ditën e djeshme u dogjën disa hektarë me bimësi në zonën e Ujit të Ftohtë në Tepelenë. Një vatër e madhe zjarri dogji dhe kodrat mbi fshatin Hurmovë në Gjirokastër, e cila rrezikoi dhe banesat e fshatit.
Situata duket alarmante në Velipojë dhe Shëngjin, ku mali shumë pranë plazhit vijon prej ditësh të jetë nën pushtetin e flakëve. Forcat zjarrfikëse janë në terren, por ndërhyrja për të shuar flakët herë duket e vështirë e herë është e pamundur.