Shqipëria, vendi me çmimet më të larta në rajon por me të ardhurat më të ulëta

Shqipëria edhe pse një nga shtetet më të varfëra të Europës dhe me paga ende në minimumin e mundshëm, ka një listë çmimesh të frikshme sa u takon ushqimeve.
Sipas Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri kushtojnë sa 81% e mesatares së Bashkimit Europian. Dhe sipas të dhënave krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria i ka ushqimet më të shtrenjtat.
Ushqimet më të lira janë në Maqedoni me 60% të mesatares europiane.
Ndërsa e dyta më e shtrenjtë pas Shqipërisë është Serbia, me 77.1% të mesatares së BE-së, Mali i Zi (76.6%), Bosnja (74.5%).
Të gjitha ushqimet nga drithërat, mishi dhe bulmeti kanë çmime shumë të larta në Shqipëri.
Për bukën dhe drithërat, Shqipëria renditet e treta më e shtrenjta (69.7% të mesatares europiane), pas Malit të Zi (73%) dhe Serbisë (70%). Për mishin Shqipëria është sërish më e shtrenjta në rajon, me 72% të mesatares europiane.
Po ashtu edhe peshku në Shqipëri është më i shtrenjtë se në gjithë vendet e tjera të rajonit, me 82.5% të mesatares së BE-së. Nuk mbetet pas edhe për bulmetin dhe vezët, që janë pothuajse sa mesatarja e Bashkimit Europian (97.9%).
Natyrisht kjo shpjegon edhe arsyen përse shqiptarët shpenzojnë më shumë për ushqim se për veshje apo veprimtari të ndryshme pasi përpos çmimeve të larta të ushqimeve edhe pagat janë shumë të ulëta. Shqiptarët kanë dhe të ardhurat më të ulëta në rajon.
Në Europë më e shtrenjta për ushqimet është Zvicra dhe pasohet nga Norvegjia, Islanda, Danimarka, Luksemburgu, Austria, Finlanda, Franca por mos harrojmë që në këto vende paga e punonjësve është e konsiderueshme për të përballuar shpenzimet.