Si ua hoqi Gjukanoviç shqiptarëve 5 deputetët nga zona zgjedhore
NGA YLLI PATA

Në prag të zgjedhjeve të 30 gushtit në Mal të Zi, shqiptarët janë të ndarë në dy lista zgjedhore dhe po bëhet një luftë e madhe, që këto lista, të cilat kanë brenda kanë një numër të madh partish të marrin 2 deputetë në Parlamentin e vendit, maksimumi 3.
Por, vetëm disa vjet më parë, shqiptarët i kanë pasur rregullisht 4 deputetë dhe luftonin për 5, ndërkohë që pazari ka rënë aq shumë.
Shkak është pikërisht ndryshimi i Kodit Zgjedhor nga partia e Gjukanoviç, i cili i hoqi shqiptarëve Zonën Zgjedhore, që ishtë një normë ligjore dikur.
Met Gjoni, një gazetar i njohur në Mal të Zi, i cili është një nga politikanët e parë të shqiptareve në Mal të Zi, ka qenë deputet, zv/ambasador i Malit të Zi në Tiranë, si dhe nënkryetar i Komunës së Ulqinit.
Gjoni, kujton se shqiptarët humbën të drejtat politike që i kishin, kurse tani gjendja është komplikuar edhe më keq. Njësia Zgjedhore Shqiptare, u jepte 5 deputetë partive politike, nga ku partitë entike shqiptare merrnin 4. Pas pavarësisë së Malit të Zi kjo zonë u hoq dhe gjendja u komplikua. Aktualisht maksimumi marrin 3, por duke qenë të përçarë, ata marrin vetëm 2.
Shqiptarët e Malit të Zi janë të organizuar jo vetëm në parti etnike, por edhe në forca qytetare apo parti malazeze, siç është partia në pushtet, si dhe lëvizja opozitare e Dritan Abazoviçit. Kjo sjell ndarjen e votave dhe rënien e një deputeti.
Në vitin 1997, Gjoni thekson se kur ishte deputet ka insistuar për njësi të veçantë zgjedhore për shqiptarët në Mal të Zi.
“Mbaj mend një debat me kreun e Parlamentit të atëhershëm, kur kërkova deputetin e pestë. Svetozar Maroviç m’u përgjigj: Mendon se 4 mandate shqiptarëve nuk iu mjaftojnë?. Unë iu kundërpërgjigja që atë duhet ta japë regjistrimi i votueseve në njësinë e veçantë zgjedhore në trevat shqiptare në Mal të Zi! Kur u bë regjistrimi i votuesve, rezultoi që unë kisha të drejtë. Por njësia e veçantw zgjedhore na u hoq pa të drejtw, sepse te drejtat e fituara njëherë nuk mund të humbasin. Fatkeqësisht, kjo ndodhi pas pavarësimit të Malit te Zi, si “shpërblim” i përkrahjes pa rezervë e pa kushte nga ana e shqiptarëve”, thotë Gjoni, i cili vijon duke kritikuar partitë aktuale.
“Nuk fitohen vota me tregimin e luajitetit e besnikërisë ndaj pushtetit që na diskriminon e na varfëron, duke rrëmbyer pasurinë në trojet tona, si Kriporen , hotelet me të cilat Ulqini ishte i njohur në Evrope e më gjerë, Pyllin e pishave, Valdanosin, pyjet dhe kullosat ne Plavë e Guci etj. duke na mohuar të kaluarën tonë te lavdishme, të tashmen dhe te ardhmen e gjeneratave të reja.
Si ish-deputet, apeloj që partitë shqiptare, forcën dhe aktivitetin e vet ta orientojnë në homogjenizimin e votës shqiptare për subjektet e veta nacionale”./Gazeta Shqip