SMS-të e Ylli Ndroqit me Veliajn, reagon Meta: Jam me Beti Njumën! Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë kur pronarët e tyre dorëzohen para presioneve të pushtetit

Reagon Presidenti Ilir Meta pas sms-ve të publikuara nga Ylli Ndroqi që pretendonin një bisedë të tij me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, lidhur me gazetaren Beti Njuma, atëkohë drejtoreshë e Ora News.
Meta del krah gazetares Njuma dhe i fton gjithë të tjerët që t’i shkruajnë atij në rastet kur pronarët e tyre dorëzohen para ‘presioneve të pushtetit’.
“Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment. Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner! Dhe Bordi Drejtues do jetë i përberë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi”, shkruan Meta.
REAGIMI I PLOTË I METËS:
Dua sot të shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik.
Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.
Asgjë nuk e ndal Ndryshimin!
Madje koha e Ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh.
Tani ka ardhur Kohë tjetër!
Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti.
Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve!
Kujtoni poezinë e Havzi Nelës dhe do i qëndroni misionit tuaj fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e Tij.
Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment.
Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner!
Dhe Bordi Drejtues do jetë i përberë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi.