Takimi në Washington/ Vuçiç: Mund të shtyhet, qeveria e Kosovës: S’kemi njoftim!

Presidenti serb Aleksanar Vuçiç thotë se takimi mes Kosovës dhe Serbisë, I planifikuar të mbahet në 2 shtator në Washington të Shteteve të Bashkuara, mund të shtyhet. Asgjë nuk është vendosur ende sipas tij, por ka shenja se mund të ndodhë një shtyrje prej dy ditësh, “ose diçka e tillë”.
Vuçiç sërish përsëriti se nuk e di cfarë temat do të hapin mikpritësit, përvec asaj të ekonomisë, për të cilën janë informuar tashmë.
“Unë do të doja që të ishin vetëm tema ekonomike, nuk e di nëse do të paraqiten tema tjera, pasi për dialogun politik dhe çështjen e statusit është përgjegjës Bashkimi Europian, por nuk e përjashtojmë mundësinë e ndonjë befasie”, u shpreh ai nga Batajnica, ku mori pjesë në një stërvitje të njësive të Forcave Ajrore të Ushtrisë Serbe.
Qeveria e Kosovës ndërkohë thotë se nuk ka informacione nëse takimi do të shtyhet. Xhavit Beqiri, keshilltar për media i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, i cili pritet të takohet ne Uashington me presidentin serb, u shpreh për REL se “ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për mundësinë e shtyrjes së takimit”.
Vuçiç nga ana tjetër këmbënguli se në asnjë rrethanë nuk ka mundësi që në Washington të nënshkruhet njohja e Kosovës. “Ne jemi përballur më gjëra të tilla, kur na është kërkuar të pranojmë diçka të cilën ne nuk mund ta pranojmë. Por, për këtë do të ju njoftojmë pas takimit në Uashington, nëse zhvillohet në këtë mënyrë, pasi ne nuk jemi lodër që të na lëviz dikush kur të mundet dhe si të dojë ”, deklaroi presidenti serb.