Tenderi për lojën “Mos u nxeh”, reagon Majko: S’kam para në Ministri, s’e kam bërë unë!

Prej ditësh në media qarkullon lajmi se një tender për lojën e famshme “Mos u nxeh” i organizuar nga Ministria për Diapsorën. Tenderi në fjalë synonte që të realizonte shpërndarjen për bashkatdhetarët, por se 2000 copë të kësaj loje do të shpërndaheshin në katër qytetet Shkodër, Korçë, Tiranë dhe Gjirokastër.
Pikërisht ky tender i publikuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike organizohet nga Ministria e Diasporës, nga ministri Pandeli Majko.
Në lidhje me këtë lajm ka reaguar vetë ministri i Diasporës, Pandeli Majko, i cili ka theksuar se një lajm i tillë është humor për pushuesit në këtë stinë. “Për informacion, Ministri i Shtetit për Diasporën nuk ka buxhet ndaj ka “fatin” te mos merret me tendera. Agjencitë përgjegjëse për diasporën (në rastin konkret Qendra e Botimeve për Diasporën) e menaxhojnë buxhetin e tyre mbi vendimmarrje te Këshillave drejtues të cilat përbëhen nga përfaqësues nga ministri te ndryshme”, reagon Majko në rrjetet sociale.
Ndërsa vetë Qendra e Botimeve të Diasporës thekson se “Loja “Mos u nxeh” është pjesë e koleksionit me mjete didaktike të hartuara nga Organizata jofitimprurëse “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, dhe bën pjesë në koleksionin “E ka kush e ka”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit kombëtar “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë””.
“Ky koleksion synon, që nëpërmjet një serie libërthash dhe lojërash, të përfshijë fëmijë dhe të rritur në zbulimin dhe rizbulimin e trashëgimisë kulturore, si një urë lidhëse me botën që na rrethon. Koleksioni përfshin lojën “Mos u nxeh”, përmes së cilës jepet informacion mbi gjuhën, trashëgiminë kulturore, gjeografinë dhe historinë e qyteteve kryesore të Shqipërisë. Koleksioni është hartuan me specialistë të trashëgimisë kulturore dhe në bashkëpunim me institucionet kulturore në vend; Koleksioni “Mos u nxeh” është shpallur në vitin 2018 fitues i konkursit “Historitë Evropiane të Trashëgimisë”, organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian”, thuhet më tej.
Reagimi i plotë i ministrit Majko
PERGENJESHTRIM
Lajmi se Ministri i Shtetit për Diasporën ka bërë “tender novativ” për një lojë mos u nxeh është humor për pushuesit! Kur këtë lajm e nxjerr gazeta “Tema” situata bëhet serioze.
Për informacion, Ministri i Shtetit për Diasporën nuk ka buxhet ndaj ka “fatin” te mos merret me tendera.
Agjencitë përgjegjëse për diasporën (në rastin konkret Qendra e Botimeve për Diasporën) e menxhojnë buxhetin e tyre mbi vendimarrje te Këshillave drejtues të cilat përbëhen nga përfaqësues nga ministri te ndryshme.
Për “lodrën” dhe “lodërtarët” e lojës në fjalë Qendra e Botimeve ka dhënë një sqarim publik qe prej katër ditësh në faqen e saj.
https://www.facebook.com/…/a.3184312054391…/650400642242188/
Loja e “novative” është veç një program plotësues i mësimdhënies në diasporë për fëmijët. Me sa duket, ja vlen të organizohet edhe një lojë tjetër “MOS U MERZIT MOTER”!