Vendimi i rëndësishëm/ Dalin rregullat e reja për fluturimet e shqiptarëve drejt Italisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nisur nga vendimet e vendeve të ndryshme lidhur me kufizimet në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, njofton se sipas Dekretit të fundit, datë 12 gusht 2020, të shtetit italian lidhur me hyrjen në territorin e Italisë, nevojitet paraqitja e testit me rezultat negativ për Covid-19 për qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë.
Momentalisht, për qytetarët të cilët nuk e kanë detyrim sipas Dekretit që të paraqesin testin, autoritetet italiane kanë marrë masa që këtyre pasagjerëve t’u kryhet tamponi (falas) në momentin e mbërritjes në aeroport në mënyrë që të vijojnë më tej drejt destinacionit të tyre.
Kjo masë është marrë për shtetet që nuk janë të përfshirë në Dekret, me qëllim mospërhapjen e virusit Covid-19 në Itali.
Sikurse ndodhi edhe me udhëtarët që mbërritën në aeroportin e Perugia-s me fluturimin e sotëm nga Shqipëria, ora 14:00, ekipet mjekesore italiane të vendosura në aeroport u kryen pasagjerëve tamponin falas, si dhe procedurat e tjera përfshirë deklarimin e të dhënave personale në një formular të posaçëm.
Përgjigja e tamponit do të dërgohet pas 48 orësh. Gjatë kësaj periudhe të gjithë qytetarët janë të detyruar të kryejnë karantinimin/izolimin në banesën e tyre në pritje të rezultatit.