Zgjedhjet në Malin e Zi/ Basha apelon: Shqiptarë dilni masivisht e votoni për partitë shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me anë një postimi në rrjetet sociale i ka bërë thirrje shqiptarëve në Malin e Zi që të dalin të votojnë në mënyrë masive në zgjedhjet e 30 gushtit.
“Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit”, shprehet Basha, ndërsa nuk jep ndonjë preferencë të veçantë për ndonjë parti apo koalicion shqiptar për të votuar.
Postimi i plotë
Ju bëj thirrje bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare.
Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.
Ne krenohemi me faktin që shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol kyç në arritjen e pavarësisë së Malit të Zi dhe në përmbushjen e aspiratës së anëtarësimit në NATO. Jam i bindur që faktori politik shqiptar do të vazhdojë që në mënyrë konstruktive të japë kontribut të çmuar në përshpejtimin e integrimit europian të Malit të Zi.
Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit.