Basha: Ekonomia shqiptare buzë greminës, ja zgjidhja e opozitës

Kreu demokrat Lulzim Basha ka ngritur shqetësimin në lidhje me investimet në vend, duke theksuar se ka një rënie të djeshme.

Sipas Bashës, ekonomia shqiptare është buzë greminës dhe populli po përballet me rritjen e varfërisë dhe papunësisë.

Ai ka theksuar se prioritet i opozitës është lufta kundër korrupsionit, anulimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9%, që do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze.

Postimi i Bashës

Është alarmante situata e investimeve të huaja në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti, shifra e rënies së investimeve është 100 milionë euro. Çuarja e ekonomisë shqiptare buzë greminës së falimentit, është një nga shqetësimet kryesore të pasqyruara në raportin e përvitshëm të DASH, që rendit si arsye korrupsionin e qeverisë shqiptare, shkatërrimin e tregut dhe konkurrueshmërisë nga PPP-të, ligjet abuzive në lidhje me pronat dhe gjithashtu koncesionet korruptive.

Asgjë nuk e fsheh dot më rritjen e varfërisë dhe papunësisë, ekonominë e rrënuar dhe largimin masiv të shqiptarëve. Çdo raport ndërkombëtar flet qartas për mungesën e klimës pozitive për biznesin dhe investimet e huaja.

Dy investitorët e vetëm strategjikë, TAP dhe Devolli, po e përfundojnë punën e tyre të nisur që në kohën e qeverisjes së PD. Në 7 vite, në Shqipëri ka mbizotëruar klima e largimit të investitorëve strategjikë dhe seriozë. Në vend të tyre lulëzuan kompanitë offshore, PPP-të dhe koncesionet, që veç korrupsionit në çdo hallkë, nuk ofruan asnjë shërbim cilësor apo përmirësim të jetës së qytetarëve.

Në këto kushte, një nga angazhimet e mia parësore, është që t’i kthej shqiptarëve mundësinë e tregut të lirë dhe frymëmarrjen konkurrencës së ndershme në çdo sektor të ekonomisë. Lufta kundër korrupsionit, anulimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze.

Basha: Ekonomia shqiptare buzë greminës, ja zgjidhja e opozitës

Back to top button
LAJMET E FUNDIT