Dënimi i Arbër Çekajt, shpërthen avokati: Ja vendimi qesharak për kontenierin ku u kap kokaina

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 14 vjet burg, Arbër Çekajn, për 613 kg kokainë që ju gjetën në magazinën e tij në Durrës.
Pas seancës, avokati i Çekajt, Maks Haxhia ka akuzuar gjykatën për standard të dyfishtë, ndërsa mohoi edhe njëherë përfshirjen e tij në ngjarjen e 2018, kur brenda një konteineri bananesh u gjetën 613 kg kokainë të ardhura nga Kolumbia, që kaloi nga Italia, në Portin e Durrësit dhe më pas në magazinën e Çekajt.
Avokati akuzoi gjykatën se shpalli qëllimisht vendimin pa praninë e mediave.
“Për çudi kjo gjykatë na tregoi vendimin për moslejimin e mediave, ndërsa kur dha vendimin i futi mediat. Është proces komik. Ju siguroj se çdo jurist,do të skandalizohet me këtë vendim sepse nuk kishte asnjë provë që të favorizonte akzuzën. Kjo gjykatë, nuk them dot as e Ballshit, se kam respekt për vendlindjen time. Nuk kishte provë. Është shumë e thjeshtë.Gjyqtarja ka kandiduar për në Apel, karriera e tyre është në prioritet. I thashë që unë s’jam Zoti që të them e ka bërë apo jo Arbër Çekaj, por di të them që nuk ka prova. Prandaj jam i irrituar se nuk u la media në seancë.”
“Më qesharakja ishte në fund të vendimit, kur ju e dini se 1 kg hashash të gjendet në një makinë, sekuestrohet makina, ndërsa gjykata, kur janë gjetur 613 kg kokainë, vendosi që kontenieri t’i kthehet pronarëve.”, tha më tej avokati.