Discovery, emision për Tragjasin/ Gazetari nga Londra: Një bukuri e rrallë, por që s’ka as rrugë (VIDEO)

Televizioni i fuqishëm amerikan, por me audiencë në të gjithë botën Discovery Channel, ka transmetuar një dokumentar në ciklin “Ndërtimet e Braktisura”, ku ja kushton posaçërisht fshatit Tragjas të Vlorës.

Në këtë emision flitet për ndërtimet e vjetra të fshatit, rastin e qëndrimit atje gjatë Luftës së Dytë Botërore të misionit amerikan dhe britanik, që u ruajtën nga partizanët, por edhe për bombardimin e një anije Italiane ku ndodhej brenda edhe motra e Musolinit, anije që ndodhet sot në fund të ujit.

Gazetari i njohur shqiptar Daut Dauti, i cili jeton në Britaninë e Madhe i ka bërë një recencë të shkurtër këtij emisioni, të cilin e ka shpërndarë edhe në faqen e tij.

Madhështia e fshatit Tragjas

Programi i famshëm ‘Abandoned Engineering’ (Ndërtimet e Braktisura) që transmetohet në ‘Discovery’, Science TV’ dhe ‘Yetserday UK’ shfaqë ndërtime me arkitektura dhe inxhinieri madhështore që janë ndërtuar dikur e që tashti janë braktisur. Një emision të tillë, që duket se është bërë para një viti, tashti mund ta shikoni edhe për fshatin Tragjas që gjendet afër Vlorës.

Fjala është për një fshat me plot histori dhe me arkitekturë mbresëlënëse, por që sot është i braktisur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore fshati ka qenë i njohur për shkak të rezistencës kundër forcave italiane dhe gjermane por edhe për shkak se misioni ushtarak britanik ishte vendosur aty. Nga aty partizanët, të ndihmuar nga britanikët, e kanë udhëhequr operacionin e shpëtimit të ekipit mjekësor amerikan që kishte aterruar dhunshëm diku në Shqipëri të mesme pas prishjes së aeroplanit. Pastaj, në afërsi të fshatit, aviacioni britanik e ka fundosur një anije italiane që ka qenë spital dhe ku kishte shërbyer edhe motra e Musolinit.

Nga ky emision shihet se fshati ka aq shumë gjëra për të treguar sa që është e pabesueshme që një vend i tillë gjendet në Shqipëri. Afër fshatit gjenden dy kështjella të vjetra dhe një shpellë me pamje të rrallë. Por, duhet që dikush nga televizionet britanike të na i tregoj këto gjëra e jo televizionet tona. Ndoshta është më mirë për shkak se kështu e merr vesh bota që ekziston ky vend.

Sikur Tragjasi të ishte në ndonjë shtet tjetër, me siguri do të vizitohej nga mijëra turistë në ditë dhe do të ishte i banuar. Por, fshati nuk ka as rrugë. Prandaj, nuk ka se si të vizitohet nga turistët edhe sikur ta dinin se ku është dhe kjo ka qenë arsyeja që është braktusur para disa dekadave.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT