Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë, Basha: Teatrin do ta bëjmë aty ku ishte, barbarët…

Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Kreu i PD-së, Lulzim Basha, akuzon qeverinë për “barbari për vlerat dhe institucionet e kombit tonë”, duke iu referuar shembjes së Teatrit Kombëtar.

Me një shënim në Twitter, Basha thotë se Teatri Kombëtar nuk ishte thjesht një institucion i kulturës dhe një gjurmë elegante e trashëgimisë tonë.

Ai thekson edhe një herë se do ta rindërtojë atë siç ishte dhe aty ku ishte, kur PD të vijë në pushtet, duke shtuar se përgjegjësit për shembjen e tij do të dalin para drejtësisë.

Postimi i plotë:

Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen Shqipërinë pa Teatrin Kombëtar, që u shemb nga regjimi si dëshmi e barbarisë dhe urrejtjes që kjo qeveri ushqen për vlerat dhe institucionet e kombit tonë.

Teatri Kombëtar nuk ishte thjesht një institucion i kulturës dhe një gjurmë elegante e trashëgimisë tonë. Falë rezistencës së artistëve, aktivistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Tiranës, ai u shndërrua në një vijë ndarëse ndërmjet regjimit dhe qytetarisë.

Rikonfirmoj angazhimin tim personal dhe të Partisë Demokratike se Teatrin Kombëtar do ta rindërtojmë siç ishte aty ku ishte dhe ata që e sulmuan dhe e shembën brutalisht do të dalin përpara drejtësisë për këtë krim të rëndë ndaj kulturës, qytetarisë dhe mënyrës tonë të jetesës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT