Dosja në SPAK/ Mashtruan me viktimat e koronavirusit, si u zbuluan nga bisedat telefonike

Tre persona janë marrë nën cilësinë e të pandehurve nga prokuroria speciale ndryshe SPAK. Mbi ta rëndon një akuzë e një natyre krejt të veçantë dhe i kryer në kohë pandemie. Bëhet fjalë për tre persona që gjatë muajve mars, prill dhe maj të këtij viti kur e gjithë bota ziente nga virusi i tmerrshëm, ata u pasuruan.

Krimin e kryen përmes teknologjisë, një alarm në fakt që erdhi asokohe edhe nga Interpoli Ndërkombëtar. Tre të akuzuarit shqiptarë akuzohen se përmes mashtrimeve në internet, apo telefonatave kërkuan para, për të sjellë nga Italia, Amerika, Greqia, Gjermania apo edhe vende të tjera shqiptarët që kishin humbur jetën për shkak të koronavirusit.

Në emër të kthimit të trupave në atdhe, mashtruesit gjetën rrugën e shkurtër të përfitimit. Një ekspert i krimit kibernetik në Policinë e Shtetit tha për Gazetën “Shqip”, se pati shumë raste të dyshuara për këtë taktikë të mafiozëve shqiptarëve, apo mashtruesve, por vetëm për tre u siguruan prova materiale, pas të cilëve u dërgua edhe dosja në SPAK.

Ai shkon edhe më tej, teksa thotë se ka një tjetër grup personash që abuzojnë me çmimet, fakt që e lidh me agjencitë funerale, ose mashtrues që lidhen me këto agjenci dhe vetëdeklarohen sekserë, çështje kjo që është nën hetim operativ dhe jo e karakterit zyrtar. Pra, teknikisht do të thotë se po hetohet, por për një çështje të paregjistruar zyrtarisht, ose thënë më saktë e pa protokolluar.

Në rastet e të akuzuarve vetëm për një rast, janë marrë më shumë se 20 mijë euro për të sjellë trupin e një personi të pajetë, që sipas mashtruesve nuk ka fituar betejën me koronavirusin në Evropë.

Dhe kur mendon se zgjidhje të tjera në ato muaj të izolimit total kanë qenë të kufizuara, ose mungesa e informacionit nga institucionet thuajse nuk mund të sigurohej në kohë, ka shumë që e kanë pranuar një mashtrim të tillë, duke u bërë “viktima”.

Përmes mashtrimeve telefonike, kriminelët i merrnin qytetarët shqiptarë në telefon (pasi kishin siguruar informacion të saktë), duke pretenduar se ishin zyrtarë të klinikës ose spitalit dhe se për shërimin e të sëmurit kërkohen pagesa për trajtim mjekësor.

E njëjta mënyrë përdorej edhe përmes e-mail, ku dërguesi pretendonte se ishte përfaqësues nga autoritetet shëndetësore italiane, gjermane, apo amerikane dhe në këmbim të letrave për përcjelljen e trupave në vendlindje duheshin paguar shumat marramendëse.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT