Duke synuar luftën kundër pastrimit të parave, qeveria “kap” tregun imobiliar: Dhënia dhe heqja e lincencave kalon në dorë të Ministrisë së Drejtësisë

Qeveria ka gati një projektligj përmes të cilit synon që të sistemojë tregun e ndërmjetësimit të pasurive të palujtshme, apo njohur gjerësisht si “agjentët imobiliarë”.
Drafti është hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe në relacionin shoqërues thuhet se qëllimi i tij është “mbrojtja dhe garantimi i ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si një profesion i lirë dhe i rregulluar”.
Projektligji konsiderohet edhe si një mekanizëm për të ndihmuar në luftën kundër pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit dhe të tregut të pasurive të paluajtshme, përmes ngritjes së një regjistri dhe baze të dhënash për të gjithë agjentët imobiliarë, që nga ana tjetër detyrohen, sipas këtij propozimi, që të ruajnë të dhënat e çdo transaksioni që kanë ndërmjetësuar deri në 5 vite.
Në relacion thuhet se ky projektligj është edhe rekomandim i Moneyval, agjencisë europiane kundër pastrimit të parave.
“Një nga masat kryesore është pikërisht ngritja e një legjislacioni për licencimin e ndërmjetësve të pasurive të patundshme në mënyrë që bashkëpunimi për parandalimin e pastrimit të parave të kryhet edhe nëpërmjet masave të marra për licencimin e tyre dhe formalizimin e tregut, i cili ndikon drejtpërdrejtë në tregun e shitblerjeve të pasurive të patundshme që është një nga elementët kyç të pastrimit të parave në Shqipëri sipas raportit”, thuhet në relacionin shoqërues të draftit.
Drafti kërkon që çdo person fizik apo juridik që do të ushtrojë profesionin e agjentit imobiliar duhet të licencohet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, pasi të ketë kaluar më parë provimin e licencimit. Provimi propozohet që të mbahet dy herë në vit, ndërsa pranë kësaj ministrie do të ngrihet edhe baza e të dhënave për të gjithë agjentët në treg.
Po ashtu Ministria në rast të çdo shkelje të evidentuar ka të drejtë sipas ligjit të heqë licencën subjektit./si