Dy draftet/ Si ndryshojnë nismat e PS dhe PD: Koalicionet e listat, llogaritja e ndarjes së mandateve të deputetëve

Kuvendi ndodhet përballë sfidës së fortë të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, nëse do të ketë lista të hapura dhe a do të lejohen koalicionet parazgjedhore.
PS dhe PD duket se në distancë mes tyre kanë një dakordësi dhe se nuk janë të vendosur për listat e hapura, pasi atyre i leverdis që të kenë lista të mbyllura dhe ndaj kanë propozuar që një variant që të mos jenë 100 përqind të hapura, ato duan që të jenë domen i kryetarëve të partive.
PD-ja ndërkohë ka propozuar nismën e saj, duke propozuar listat e hapura, por që ka mbetur pezull, pasi nuk ka ndonjë deputet që ta paraqesë në Kuvend me firma, veç është në dorën e PS-së për ta futur nëpërmjet Këshillit Politik.
Çështja kryesore është te koalicionet zgjedhore. PD-ja kërkon që të mos ndryshohet skema e daljes së koalicioneve politike, duke lejuar që të përdoret formula aktuale. Për PD-në, dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi lidhur me rregullat e koalicioneve parazgjedhore dhe formulës së shpërndarjes së mandateve janë tërësisht në përputhje me Kushtetutën në fuqi.
Por socialistët kanë një variant tjetër për koalicionet, sipas tyre duhet që të ketë një listë unike të partive që dalin në koalicion. Pra jo çdo parti në koalicion duhet të dalë në lista me vëte deputetes, duke rrëzuar variantin që është përdorur në zgjedhjet parlamentare e shkuara. Kjo do të detyrojë PD dhe LSI që të dalin me koalicione me vete, duke synuar mos futjen në një listë, por edhe të maksimizojnë votat e tyre për të thithur sa më shumë vota.
Sa i përket pragut elektoral, PS propozon 3 përqind, ndërsa PD-ja kërkon që të jenë 1 përqind. Ndërsa opozita parlamentare ka një variant të sajin që kërkon lista të hapura dhe pragu të mos jetë 3%, por të jetë me sistem proporcional rajonal me korrektim kombëtar.
PD kërkon renditje listash sipas rendit alfabetik të kandidatëve, ku votuesi zgjedh kandidatin e preferuar, ndërsa PS me numër që e vendos partia renditjen.
Më poshtë po jepen propozimet e dy partive të mëdha për Kodin Zgjedhor.
Propozimi i PS
-Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre. Për koalicionet, përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati.
Neni ___
Në fund të pikës 3 të nenit 88 shtohet fjalia si më poshtë:
“Për partitë pjestare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.”
Fjalia e dytë e pikës 1 të nenit 162 ndryshohet si më poshtë:
“Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 3 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”
Neni ___
Neni 163 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 163
Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës
1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fituese për secilin subjekt.
2. Shpërndarja e mandateve fillon me rirenditjen e kandidatëve në bazë të renditjes së tyre në listën e dorëzuar sipas nenit 67 te këtij Kodi si dhe numrit të votës parapelqyese të secilit kandidat bazuar në procedurat dhe kriteret vijuese.
3. Renditja e kandidatëve që përfitojnë mandat ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër votash parapelqyese më të madh se heresi qe del nga pjestimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
4. Kandidatët me numrin e votave më të lartë se ajo e herësit ngjiten në renditje duke zëvendësuar kandidatin/tet e fundit në renditje që do të përfitonin mandat sipas renditjes së listës së kandidatëve, nëse numri i votave parapelqyese të këtij të fundit është më i vogël. Në të kundërt kandidati zëvendëson kandidatin e renditur menjëherë më lartë, i cili ka më pak vota parapëlqyese se sa herësi i dalë sipas pikës 3 të këtij neni.
5. Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati me më pak vota i përket gjinisë më pak të përfaqësuar. Në këtë rast zëvendësimi kalon tek kandidati tjetër i renditur menjëherë më lart deri në shterimin e listës sipas të njëjtave kritere. Kur kandidati me numër më të madh votash se herësi i përket të njëjtës gjini zbatohen parashikimet e pikës 4 të këtij neni.
6. Kandidatët e listës që nuk përfitojnë mandate sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij neni renditen në bazë të numrit të votave parapelqyese duke filluar nga numri më i lartë i votave. Kur numri i votave është i barabartë renditja përcaktohet me short.
7. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.
Propozimi i PD e LSI
Neni 1
Në nenin 67, pikat 4 dhe 5 ndryshohen si më poshtë:
4. Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit alfabetik, duke filluar nga gërma “a”. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Për partitë pjesëtare të koalicionit, që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre.
5. Subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. Kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të procedurave të këtij ligji për përllogaritjen e mandateve fituese në bazë të votimit parapëlqyes dhe të plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore.”
Neni 2
Në nenin 98, pas pikës 4 shtohet pika 4/1 me këtë përmbajtje:
4/1. “Fleta e votimit duhet të përmbajë hapësirën e posaçme për ushtrimin e votimit parapëlqyes për kandidatët e subjekteve zgjedhore, numrat përkatës identifikues të së cilëve, sipas listave që kanë depozituar subjektet zgjedhore, duhet të figurojnë qartë në fletën e votimit .
Mënyra e votimit parapëlqyes përcaktohet nga KQZ-ja në varësi nga numri i subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje, duke respektuar kushtin që informacioni i përcjellë nga fleta e votimit të mos jetë tejet i ngarkuar, konfigurimi i fletës të jetë i qartë e i kuptueshëm për zgjedhësin dhe zgjedhësi t’a ketë të lehtë orientimin për votimin e subjektit zgjedhor dhe të kandidatit të parapëlqyer.”
Neni 3
Pika 1 e nenit 106 ndryshohet si më poshtë:
“Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni, dhe kandidatit të parapëlqyer të subjektit zgjedhor shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.”
Neni 4
Në nenin 117 bëhen ndryshimet si më poshtë:
1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore apo partinë politike pjesëtare të koalicionit dhe vetëm për njërin nga kandidatët e tij.
Kur zgjedhësi ka votuar vetëm për një parti politike por jo për një kandidat të saj, apo kur ka votuar për më shumë se një kandidat të të njëjtës parti, vota i llogaritet vetëm partisë politike.”
2. gërma “e” ndryshohet si më poshtë:
“e) është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër zgjedhor”
3. Pas gërmës “ë” shtohet gërma “f” me këtë përmbajtje:
“f) nuk është e qartë se për kë është votuar ”
Neni 5
Në nenin 118 bëhen ndryshimet si më poshtë:
Pas pikës 6 shtohet pika 6/1 me këtë përmbajtje:
“6/1 Pas përfundimit të procedurave sipas pikës 6 të këtij neni bëhet numërimi, sipas parashikimeve në pikat 1 dh 2 të nenit 95, i votave parapëlqyese për çdo kandidat të subjektit zgjedhor.”
Neni 6
Pikat 5 e vijuese të nenit 163 ndryshohen si më poshtë:
5. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë.
Mandatet nominale përcaktohen pasi kandidatët të jenë renditur në bazë të votave parapëlqyese që ka marrë secili prej tyre. Renditet i pari kandidati që ka marrë numrin më të madh të votave parapëlqyese dhe pas tij në rend zbritës kandidatët e tjerë deri te kandidati i fundit i cili ka marrë numrin më të vogël të votave parapëlqyese.
Kur nga ndarja e mandateve nominale të subjektit zgjedhor, brenda zonës zgjedhore, nuk respektohet parimi i barazisë gjinore i cili garanton përfaqësimin në masën e të paktën 30 % të gjinisë së nën përfaqësuar KQZ ndan mandatet duke garantuar parimin e barazisë gjinore. Në këtë rast mandati i fundit takues për kandidatin e gjinisë më të përfaqësuar ndahet për kandidatin me numrin më të lartë të votave parapëlqyese të gjinisë së nënpërfaqësuar. Kjo procedurë përsëritet deri sa mandatet që ndahen të respektojnë detyrimin e përfaqësimit në masën 30 % të gjinisë së nën përfaqësuar për secilën zonë zgjedhore.
6. Në rastet kur numri i votave parapëlqyese të cilat përcaktojnë mandatin e fundit që ndahet është i barabartë, pa cënuar kuotën gjinore, mandati ndahet me short.
7. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.”