FAKSIMILE / Versioni i parë i Paktit me Serbinë u ndryshua në Uashington, gazeta austriake: Si u fshi nga dokumenti fjalia për “njohje reciproke” mes dy vendeve

Media në Kosovë kanë siguruar versionin  e parë të dokumentit që u është prezantuar palëve në Uashington e për të cilin dje pala kosovare pati tensione që gati çuan në prishje të koalicionit!

Madje ky version i dokumentit, pos që rrezikonte koalicionin, ai rrezikonte edhe komplet marrëveshjen.

Në versionin e parë për të cilin kishte reaguar ashpër kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj shkruhej që të dy palët ndajnë Liqenin e Ujmanit/Gazivodes për furnizim me ujë dhe energji!

Kjo pikë më pas ishte ndryshuar, për t’u zëvendësuar me studimin e fizibilitetit nga Departamenti për Energji i SHBA-ve.

Gazeta austriake “Die Presse” shkruan se një nga qëllimet e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington ishte që të ndihmojë presidentin Donald Trump në fushatën për zgjedhjet e nëntorit.

Gazeta shkruan se amerikanët kishin futur në dokument edhe fjalinë për ‘njohje reciproke’, por ajo u fshi.

“Fjalia për ‘njohje të ndërsjellë”, që amerikanët e kishin vendosur fillimisht në marrëveshje, thuhet se u fshi pas protestave të forta nga Beogradi.

Sipas raportimeve nga Prishtina, kërcënimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për të lënë qeverinë nëse Hoti nënshkruan një dokument që konfirmon pretendimet serbe ndaj liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës, shkaktoi trazira në delegacionin e Kosovës.

Për Trump, i cili po ashtu njoftoi njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe zhvendosjen e ambasadës serbe në Jerusalem, nuk është vendimtare aq shumë përmbajtja e saktë e marrëveshjes sesa ‘municioni’ për fushatën zgjedhore.

Interesi i ri i SHBA për projektin në ndërtim të Kosovës mund të zbehet përsëri: pas zgjedhjeve në SHBA, BE me sa duket do të luajë përsëri rolin e ndërmjetësit pa mirënjohje, në dialogun e ashpër mes fqinjëve të padëshirueshëm.

I besuari i Trump, Grenell nuk ishte i interesuar për përmbajtjen e marrëveshjes, deklaroi ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pranverë, pasi u rrëzua me ndihmën e SHBA”, shkruan gazeta, raporton Bota sot.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT