Haradinaj për Liqenin Ujmani: Po e futën në marrëveshje, “bie qeveria”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i bën thirrje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën përmendet Liqeni i Ujmanit.

Haradinaj pretendon se Ujmani është njëra nga pikat e marrëveshjes, dhe në qoftë se ujdia nënshkruat bashkë me Ujmanin në të, ai thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që është pjesë e koalicionit qeverisës – nuk do ta përkrahë.

“Ujmani është një liqen që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral Brenda Kosovës. Ne nuk e mendojmë se e ardhmja e tij duhet të jetë në një marrëveshje trepalëshe ku është edhe Serbia. Jemi të hapur ndërkohë me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit”, është shprehur ai.

Haradinaj tha për Radion Evropa e Lirë se për heqjen e kësaj pike nga marrëveshja ka folur me të gjitha autoritetet pasi sipas tij, përfshirja e Ujmanit në marrëveshjen e paralajmëruar, “është e papranueshme”.

“Nuk e ka përkrahjen time dhe të Aleancës. Nuk e di si do të jetë fati i kësaj marrëveshjeje. Unë apeloj te kryeministri Hoti që të mos e nënshkruajë. Pra, një marrëveshje ku Ujmani është çështje e çfarëdo marrëdhënieje trepalëshe të mos e nënshkruajë, ku është edhe Serbia palë”, theksoi ai. Haradinaj tha se nëse arrihet marrëveshja, që përmban edhe çështjen e Ujamnit, atëherë as e ardhmja e koalicionit qeverisës nuk është e sigurt.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT