Hoti: Projektet e marrëveshjes me Serbinë janë me vlerë mbi 1 miliard euro, do nis zbatimi brenda vitit

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, në një konferencë për media pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike me Serbinë, vlerësoi rëndësinë e projekteve ekonomike që me mbështetjen e SHBA, sipas tij, do të nisin zbatimin brenda vitit.
Hoti tha se dy pikat e rëndësishme të marrëveshjes janë projektet e ndërtimit të hekurudhës e autostradës Merdare-Prishtinë e deri në një port në detin Adriatik, si dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.
Pjesë nga fjala e Hotit:
Sapo e nënshkruam marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, një hap i madh në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Një marrëveshje që besoj është historike prej rëndësisë që ka, si hap për marrëveshjen finale.
Janë dy pika kryesore të kësaj marrëveshje, janë projektet e mëdha infrastrukturore si autostrada dhe hekurudha Prishtinë-Merdare, dhe gjithashtu inevstimet në energjitikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë. Të gjitha këto marrëveshje kapin shumën mbi 1 miliard euro, dhe ka zotim të qartë të Trump dhe administratës së tij, që të gjitha këto projekte të nisin zbatimin brenda një viti.
Dhe e dyta, është njohja e Kosovës nga Izraeli. Unë sapo e kreva një telefonatë me zotin Netanyahu dhe u dakortësuam të vendosim menjëherë marrëdhënie diplomatike. Mendoj që ky është një lajm i jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës.
Jemi pajtuar që SHBA të bëjë një studim për liqenin e Ujmanit.