I shpëtoi vdekjes, 65-vjeçari që qëndroi 3 javë i intubuar nga Covid-19: Po jetoj një jetë të dytë

Arben Dojaka, është 65-vjeçari që i shpëtoi vdekjes edhe pse qëndroi 3 javë i intubuar pas infektimit me Covid-19.
Një 65-vjeçar i cili i ka shpëtuar vdekjes edhe pse qëndroi 3 javë i intibuar pas infektimit me Covid-19, ka shprehur mirënjohje për stafin mjekësor të “Shefqet Ndroqit”.
Arben Dojaka u shpreh se po jeton një jetë të dytë dhe këtë jetë ia kanë falur pikërisht mjekët. “Mjekët më kanë thënë se kam patur një rast të rrallë. Paska qenë shansi im që të kurohem nga këta mjekë. Tani ndihem shumë mirë, nuk kam asgjë”, tha ai.
I pyetur se si ka qenë shtrimi në spital për të, Dojaka tha se ditën e parë që e mban mend, ka qenë paksa i tensionuar. Madje ai u kërkoi falje mjekëve për sjelljen e tij.
“Kisha ditë që isha jashtë kontrollit, por kur isha më mirë, mendoja se paskemi shumë shans ne shqiptarët. Pasi ka një bashkëpunim të mirë, e thosha këta janë mjekët tanë? E thosha a i vlerësojmë ne? Po ata a e vlerësojnë veten për punën që bëjnë? Janë njerëz që duhet ta vlerësojnë veten shumë. Mrekullitë ndodhën në Shqipëri, e kjo falë mjekëve”, tha Arbeni.