Kodet e njësive antikrim/ Si zbulohen krimet nga oficerët që nuk njihen me njëri-tjetrin

Krimi ekonomik dhe ai kompjuterik nuk mund të mendohen, nëse në Polici nuk do të ishin funksionale edhe njësia e informacionit dhe ajo e personave në kërkim.

Kësisoj, 4 njësitë që kanë kodet e tyre të posaçme tashmë nga Policia janë njësia “E” e krimit ekonomik, njësia “I” e informacionit, njësia “K” e personave në kërkim dhe njësia “C” e krimit kompjuterik.

Këto kode që janë vendosur dhe njihen nga strukturat e Policisë kanë edhe një detaj jo pak të rëndësishëm. Efektivët e tyre janë “anonimë”. Jo në kuptimin klasik të fjalës anonim. Por, ata njihen nga kolegët vetëm me numrat që mbajnë në uniformë dhe jo me identitetet.

Dhe kjo ka një shpjegim thonë autoritetet. Duke qenë se janë krime të një natyre krejt tjetër nga ajo e përditshmërisë për rendin dhe sigurinë publike, identifikimi do të prodhonte rrjedhje të informacionit.

Mosnjohja e tyre krijon “distancë informative” mes kolegëve, çka nënkupton më pak nxjerrje të informacionit tek persona që kanë interes të drejtëpërdrejtë e sidomos tek persona në kërkim.

Në jo pak raste ka ndodhur që shumë operacione për kapjen e personave të kërkuar kanë dështuar, pasi personi, apo grupi i personave janë njoftuar më parë për operacionet e Policisë.

Kjo përvojë, siç thonë burimet është kopjuar nga Italia dhe Franca, që kanë vepruar vite më parë me këtë mënyrë të identifikimit të trupave specifike policore. Tashmë edhe Shqipëria ka bërë këtë zgjedhje për të ruajtur “drurin e shtrembër” të Policisë në radhët e saj.

Gjithsesi, këto struktura policie kanë edhe një mision të dyfishtë. Sepse përmes informacionit që disponojnë, apo grumbullojnë do të përballen me vendimet e para nga Gjykata, për konfiskimin e pasurive me burim kriminal, si pjesë e Operacionit Forca e Ligjit.

Krahas shumë angazhimeve dhe prioriteteve të Policisë së Shtetit, lufta kundër krimit të organizuar kryeson listën e të gjithë prioriteteve dhe angazhimeve, pavarësisht se në jo pak raste SPAK ka rrëzuar vendimet e OFL, duke i konsideruar në tejkalim të ligjit special.

I gjithë ky “ansambël” i madh strukturash është i angazhuar në një përpjekje të madhe për të dhënë goditje të vazhdueshme kundër krimit në përgjithësi, por me theks të veçantë, krimit të organizuar.

Në letër, operacioni Forca e Ligjit ka regjistruar sukses të konsiderueshëm, por deri tani nuk ka asnjë bilanc konkret me vendime të drejtësisë për konfiskimet e para, për t’u pasuar në të ardhmen me vendime të tjera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT