Kolaps në futbollin shqiptar, Fidel Ylli: Me bojkotin nuk ka humbje qeveria, por ata

Kampionati shqiptar i futbollit ishte programuar që të riniste më 12 shtator. Kanë kaluar më shumë se 2 javë dhe nuk është luajtur asnjë ndeshje. Presidentët e klubeve kanë vendosur që të bojkotojnë fillimin e kampionatit. Ata duan që t’u plotësohen 4 pika të rëndësishme nga Qeveria Shqiptare përndryshe nuk do të luajnë.
Qeveria Shqiptare nga krahu tjetër nuk ka ndërmend t’u plotësojë kërkesat klubeve dhe kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë që futbollistët të vazhdojnë në të zezë. Liga mbajti menjëherë qëndrim dhe vazhdoi bojkotin.
Ditën e sotme ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” përfaqësuesi i qeverisë, deputeti Fidel Ylli, i cili u shpreh se në kushte presioni nuk ka zgjidhje.
“Unë e kam thënë se sporti nuk ka nevojë për katër kërkesa, por shumë më shumë. Ju kam thënë se me bojkot nuk ka humbje qeveria por vetë ata. Sporti është cilësi jete, sporti është edukim, largon të rinjtë nga veset e këqija, nga droga”, tha Ylli.
Sipas përfaqësuesit të qeverisë, bojkoti dhe mënyra se si po reagojnë përfaqësuesit e Ligës nuk është e pranueshme. “Unë jam në krah të Ligës, mua më intereson i gjithë sporti dhe jo vetëm futbolli. Prandaj them se nëse bëhet një ligj, mua më intereson. Por një gjë e tillë nuk bëhet me presion, por duke komunikuar”, shtoi Fidel Ylli.
Ndërkohë katër kërkesa e Ligës janë:
1. Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.
2. Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
3. Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
4. Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.