Koronavirusi/ 185 pacientë të shtruar në spitalet COVID, ja sa persona po luftojnë për jetën

Situata në spitalet COVID vijon të jetë serioze, ndërsa 24 orët e fundit 4 persona kanë humbur jetë nga COVID-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 185 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.
Lajmi i mirë është se 52 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6940 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Apeli i ministrisë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave të higjienës, distancimit dhe vendosjes së maskës.
Maskat janë domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.
Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.