Kujt i duhet politizimi i çështjes së kufirit detar!

Seit JONUZAJ*
Çështja e zgjidhjes së kufirit detar midis Shqipërisë e Greqisë po bëhet tërkuzë ca nga politika e ca nga padija. Kjo gjë ka krijuar çoroditje e paqartësi në opinionin e gjerë publik. Si specialist i lundrimit detar dhe si anëtar i delegacionit shqiptar në bisedimet e vitit 1958 për çminimin e kanalit të Korfuzit, po paraqes shpjegimet e mia për dy-tri çështje të lidhura me këtë problem.
Me gjithë sqarimet e shumta, të bëra herë pas here me argumente nga personalitete kompetente për çështjet e kufirit detar, përsëri nuk resht politizimi, duke e fryrë problemin në mënyrë të tejskajshme, veçanërisht pas deklarimit të qeverisë greke për shtrirjen e kufirit detar deri në 12 milje detare. Arrihet deri në absurd se si qeveria greke merr një vendim të tillë pa u marrë vesh me qeverinë shqiptare. Harrojnë apo nuk e dinë mëtuesit “patriotë” që e drejta për shtrirjen e kufirit detar deri në 12 milje nga çdo shtet bregdetar buron nga ligji ndërkombëtar i Montego Bay-t mbi të Drejtën detare, i vitit 1982, dhe kjo e drejtë zbatohet në drejtim të detit të hapur, ku ka hapësirë ujore dhe jo në ngushtica, siç është edhe ajo e Korfuzit midis bregdetit tonë dhe atij grek.
Për ndarjen e ujërave të ngushticave zbatohen rregulla të tjera, duke arritur në marrëveshje përmes bisedimeve ndërmjet palëve të interesuara, ashtu siç po veprohet edhe në rastin tonë. Mirëpo edhe për këto bisedime të ndërprera përkohësisht për shkaqe të njohura, ka shpërthyer ditët e fundit një stuhi tjetër vetëtimash e bubullimash, lidhur me idenë e hedhur nga kryeministri shqiptar në Athinë për një arbitër të paanshëm në bisedimet midis Shqipërisë e Greqisë. Precedentë të kësaj natyre nëpër botë nuk mungojnë. Prandaj, pajtohem me arsyetimet e gazetarit e publicistit të njohur Skënder Minxhozi në shkrimin e datës 19 shtator te DITA.
Siç dihet, Shqipëria e ka vendosur prej kohësh kufirin detar prej 12 miljesh detare dhe për këtë vendim nuk i mori dorën askujt nga shtetet fqinjë, vetëm e publikoi. Atëherë, pse Greqia duhet t`i marrë leje Shqipërisë për këtë gjë?! “Frika” që i ka zënë “atdhedashësit” tanë është se 12-milëshi grek do të pushtojë ujërat shqiptare. Sipas kësaj logjike edhe Greqia duhet të “tmerrohet” se 12-milëshi shqiptar, duke u nisur nga bregdeti i Ksamilit duhet të “pushtojë” gjysmën e ishullit të Korfuzit se 12 milje ujërash midis Ksamilit e Korfuzit nuk ka. Kështu që gjykojmë se pretendimet që ngrihen në vijimësi, së pari e kryesisht kanë prapavijë politike; së dyti, padija, mosnjohja e ligjeve ndërkombëtare të detit i bën një pjesë të njerëzve t`u besojnë broçkullave të “patriotëve” tanë.
Vërtet që çështja e kufijve është shumë e ndjeshme dhe detyra e çdo qeverie është ta mbrojë me çdo kusht tërësinë tokësore të shtetit. Por kjo nuk mund të arrihet me përçartje “patriotike”, po vetëm duke njohur mirë përmbajtjen e disa koncepteve themelore nga kuptimi i duhur i të cilave varet zgjidhja e drejtë e problemit. Dhe të tilla janë konceptet “gji”, “gji historik” e “arkipelag”, që duhen interpretuar shkencërisht.
Duke nisur me konceptet e “gjirit detar” dhe të “gjirit historik”, me gjithë konsideratën tonë për kolonelin-topograf Myslim Pashaj, si luftëtar aktiv për mbrojtjen e tërësisë territoriale, na duken të gabuara interpretimet e këtyre dy koncepteve prej tij. Megjithëse kemi pasur rast të flasim drejtpërdrejt e t`i sheshojmë mendimet për to, duke gjetur mirëkuptimin e duhur, prof. Pashaj ditët e fundit i është rikthyer përsëri kuptimit të tij për to. Së pari, nuk është normale të quash gji bregdetin verior të ngushticës së Korfuzit që nga kepi i Qefalit në veri e deri te kepi i Mërtesës në jug. Gji quhet pjesa e detit që futet thellë në tokë dhe mund të jetë e mbrojtur nga erërat dhe dallgët për qëndrimin e anijeve.
Në këtë hapësirë bregdetare, deti futet në tokë vetëm përballë qytetit të Sarandës, midis kepit veriperëndimor të Paladhës dhe kepit të Dentës në jug, duke formuar një gji jo të madh, në krye të të cilit ndodhet porti detar me infrastrukturën e nevojshme. Një mikrogji me emrin Limjon krijon futja e detit në tokë edhe midis kepit të Paladhës dhe kepit perëndimor të Varesë. Ndërsa vija bregdetare nga Ksamili deri në grykëderdhjen e lumit të Bistricës në Çukë dhe nga kepi i Paladhës deri në kepin e Qefalit ka një shtrirje pak a shumë drejtvizore. Pra, në këtë zonë nuk ka ndonjë gji tjetër për t`u përkufizuar e shënuar si i tillë (shih Udhëzues Lundrimi për detin Adriatik e Jon, Bregdeti shqiptar, Përshkrimi gjeografiko-lundrimor, botim i Shërbimit hidrografik të Forcës detare, Tiranë 1967, f. 69-81).
Sa i përket konceptit të dytë, nuk ka bazë për t`u quajtur një gji i vogël, siç është ai i Sarandës, gji historik dhe që u dashka vendosur me vendim qeverie. Në bazë të Fjalorëve enciklopedikë e terminologjikë detarë, “gjire historikë” quhen gjiret me gjerësi të madhe hyrjeje (deri në 100 milje detare) që ndodhen brenda territorit të një shteti, të cilët, për hir të traditës, quhen jo vetëm ujëra detare të brendshme, por edhe gjire historike. Të tilla janë: në Francë gjiri Kankal (gjerësia e hyrjes 17 milje detare), në Norvegji gjiri Varangerfiord (gjerësia e hyrjes 30 m.d.), në Angli Kanali i Bristolit (gjerësia e hyrjes 100 m.d.), në SHBA gjiri Fendi (gjerësia e hyrjes 65 m.d.), në Kanada gjiri Guxon (gjerësia e hyrjes 75 m.d.), në Rusi gjiret: i Petros së Madh, detet tip gjiresh Karsk, Laptiev, Siberiano-Lindor etj. Është me përmasa të tilla gjiri i Sarandës? Jo. E shumta, nëse merret si hyrje e këtij gjiri hapësira ndërmjet kepit të Varesë në veriperëndim dhe kepit të Dentës në jug, ajo ka një gjerësi prej jo më shumë se dy milje detare.
Pra, gjiret detare historike janë gjire të cilave u ka mbetur ky cilësim nga tradita e hershme historike dhe jo se janë shpallur të tillë me ndonjë dekret apo vendim shtetëror. Prandaj mendimi i hedhur gjatë debateve mbi marrëveshjen për kufirin detar Shqipëri–Greqi se “gjiri i Sarandës është historik”, duke e lidhur me praninë e objekteve arkeologjike historike në atë zonë, është pa bazë. Gjiri i Sarandës nuk i plotëson kushtet për t`u quajtur historik as nga tradita historike, sepse nuk e ka trashëguar këtë cilësim nga e kaluara e tij e lashtë dhe as ka përmasat e gjireve me cilësim të tillë në botë.
Përndryshe, edhe po të lidhej ky përcaktim me objektet historike, atëherë, po gjiret e Vlorës e të Durrësit që kanë aq shumë objekte historiko-arkeologjike mbi e nën dhe, pse nuk quhen historike?! Edhe nga pikëpamja pragmatike, çfarë përfitimi apo dobie do të kishte Shqipëria nga shpallja me vendim shtetëror e gjirit të Sarandës gji historik? Prandaj mendojmë se ringritja e kësaj çështjeje vetëm se e largon vëmendjen nga problemi kryesor.
Kurse koncepti i arkipelagut (grumbuj ishujsh) në rastin tonë, ka të bëjë me arkipelagun e Korfuzit, që është përcaktuar prej kohësh si i tillë. Dhe në arkipelag merret si bazë ishulli kryesor. Pra, Korfuzi dhe jo Barketa (një shkëmb që herë shfaqet e herë zhduket) merret si bazë për bregdetin grek. Marrja e Barketës si bazë në marrëveshjen që u hodh poshtë nga Gjykata jonë Kushtetuese, mendojmë se e kishte burimin pikërisht në inkompetencën e grupit negociator.
Ndodhemi para një problemi shumë të ndërlikuar, për zgjidhjen e drejtë të të cilit mendojmë se duhet pasur parasysh se asnjë specialist i vetëm nuk mund të japë zgjidhjen më të mirë. Zgjidhja normale e problemit do të kërkonte bashkëpunimin e specialistëve të fushave të ndryshme: të juristëve të specializuar në fushën e së drejtës ndërkombëtare të detit dhe në të drejtën kushtetuese; të ushtarakëve të Flotës Detare dhe të specialistëve të lundrimit; të historianëve, arkeologëve e etnologëve; të gjeografëve e të topografëve.
Këtu do të ndihmonte edhe historia e çminimit të ngushticës së Korfuzit më 1958 nga Flota jonë Ushtarako-Detare, në bashkëveprim me Flotën Ushtarake greke. Atëherë delegacionet qeveritare të të dy palëve nuk patën asnjë mosmarrëveshje për kufirin detar, përkundrazi, kishin mirëkuptim të plotë, sepse mendimet dhe hartat e të dy palëve përputheshin. Hartat (planshetet), në të cilat u pasqyrua çminimi i ngushticës, sikurse edhe marrëveshja e arritur dhe e nënshkruar në Korfuz nga kryetarët e të dy delegacioneve, besojmë se ruhen në arkivin e Ministrisë sonë të Mbrojtjes. Ky mendojmë se është një argument i fortë në bisedimet a në gjyqin që do të zhvillohet. Përveç kësaj, janë gjallë edhe disa nga pjesëtarët e delegacionit shqiptar që mori pjesë në bisedimet me palën greke.
Secili në fushën e vet të sqarojë problemin dhe pastaj të gjitha kontributet të njësohen në një platformë të vetme, që do të shërbejë si bazë për bisedime me palën greke. Kjo platformë e dalë nga harmonizimi i mendimeve të specialistëve të mësipërm do t’i bënte më të forta pozitat e ekipit tonë negociues në bisedimet e ardhshme, në mënyrë që të mos humbim asnjë metër katror nga pasuria jonë detare.
*Specialist i lartë i lundrimit detar
Shënim:
Autori i shkrimit, tani i moshuar, po shumë aktiv, është shkolluar në Rusi (6 vjet në Odesë), oficer i lartë i Marinës, shturman i anijes flamurmbajtëse të Flotës sonë Ushtarako-Detare, pedagog deri sa doli në pension në Shkollën e Detarisë dhe pastaj në departamentin e Detarisë në Universitetin e Vlorës. Ka qenë anëtar i delegacionit shqiptar në bisedimet me palën geke për çminimin e kanalit të Korfuzit, pra e njeh me rrënjë çështjen. E reja e shkrimit është se bën fjalë për harta të ngushticës të të dy palëve që nuk kishin asnjë ndryshim dhe kam frikë se këta tani nuk i hapin arkivat.