Luftë e re në horizont/ Rama reagon personalisht për Nagorni Karabakun: Ndaloni urgjent luftimet!

Pas një reagimi të shkurtër të zyrës së Presidencës së OSBE, ka reaguar edhe vetë Edi Rama në cilësinë e kreut të organizatës për konfliktin ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Në faqen zyrtare të OSBE-së është publikuar një njoftim i Presidencës ku thuhet:

“Duke vënë në dukje rritjen dramatike të dhunës përgjatë vijës së kontaktit sot dhe raportet e viktimave civile, Kryetari i Radhës i OSBE-së, Kryeministri dhe Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama, bëri thirrje për shtensionimin urgjent të situatës.

“Unë nxis të gjithë të përfshirët në konflikt të nisin menjëherë armëpushimin para se numri i njerëzve që janë përfshirë në këtë konflikt, të rritet më tej”, tha Rama.

Ai vuri në dukje se Bashkëkryetarët e Grupit Minsk të OSBE-së dhe Përfaqësuesi Personal i Kryesuesit të Përgjithshëm, Ambasadori Andrzej Kasprzyk, kanë qenë në kontakt të ngushtë me palët.

Rama mbështet plotësisht përpjekjet e tyre për të stabilizuar situatën në terren dhe përsëriti se nuk ka asnjë alternativë për një zgjidhje paqësore të negociuar të konfliktit.

Ai nënvizoi mbështetjen e tij për përpjekjet e bashkë-kryetarëve për të rifilluar negociatat thelbësore pa parakushte, sa më shpejt të jetë e mundur. Kryesuesi i OSBE, gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjet e atyre që humbën jetën në këtë raund të fundit të dhunës.

Që në orët e mëngjesit në kufirin azero-Armen, në zonën e krahinës të vetëshpallur si autonome Nagorni Karabak, por që ligjerisht i njihet Azerbajxhanit kanë nisur luftimet me artileri të rëndë ndërmjet palëve.

Siç bëhet e ditur janë rrëzuar helikopterë azerë e qëlluar pozicione armene.Aktualisht palët po luajnë me propagandë, por mësohet se viktimat janë të mëdha. Para Edi Ramës, edhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin kërkoi ndalimin e menjëhershëm të luftimeve në këtë rajon./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT