“Me gjak unë jam shqiptare”/ 4 vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës

Si sot 4 vite më parë, botës iu shtua një shenjtor, ajo është Nënë Tereza, sot Shën Tereza.
Sot është dita e shenjtërimit të saj, ku në një ceremoni madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku njohu dy mrekullitë e saj.
“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka kujtuar sot Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Përmes një mesazhi Ruçi theksoi se nobelistja shenjtore bashkon tokësoren me hyjnoren.
“5 shtatori i 2016-s shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës. Kjo është një ditë e shënuar për besimin dhe komunitetin katolik, veprimtarët, organizatat dhe lëvizjet humaniste e filantropike në të gjithë botën. Por kjo është një ditë e shënuar veçanërisht për kombin shqiptar. Ne, shqiptarët, jemi krenarë që i kemi dhënë botës njëkohësisht një shenjtore dhe nobeliste. Është një rast unikal kur një nobeliste shenjtërohet, duke bashkuar tokësoren me hyjnoren, kontributin për paqen me përpjekjet titanike për shërimin, mirëqenien dhe lumturinë e të varfërve, të sëmurëve e të pambrojturve.
Nënë Tereza është lartësia e përulur, edukatorja universale e të gjithë njerëzimit dhe për të gjitha kohërat. Sot, në 110 vjetorin e lindjes dhe katërvjetorin e shënjtërimit të Nënë Terezës, të gjithë duhet të reflektojmë.
Nëse dëshirojmë të ndërtojmë lumturinë nëpërmjet egoizmit për pasurim apo lehtësimit të varfërisë së të tjerëve nëpërmjet ngrohtësisë, le t’i referohemi Nënë Terezës. Nëse dëshirojmë të zgjedhim midis ambicies për të triumfuar apo dhënies së dashurisë për të tjerët, le t’i drejtohemi Nënë Terezës.
Nëse dëshirojmë të zgjedhim midis përparimit nëpërmjet forcës apo nëpërmjet dhimbsurisë njerëzore, le të mësojmë nga Nënë Tereza. Nëse dëshirojmë të zgjedhim midis qaramanëve dhe atyre që bëjnë përditë nga një gjë të vogël, të dobishme, le të veprojmë si Nënë Tereza. Nëse dëshirojmë që sakrificat e vuajtjet të mos na dekurajojnë, por të na nxisin për t’u ringritur dhe vazhduar luftën në emër të së mirës dhe lumturisë së të gjithëve, shembulli është Nënë Tereza”, thuhet në mesazhin e Ruçit.