Në Zvicër shumë të interesuar për specat e Kosovës, tregtarët importojnë tonelata

Pandemia përveç që ka pamundësuar vizitat e shumë mërgimtarëve nē familjet e tyre në Kosovë, këtë vit shumë prej tyre nuk kanë arritur as të shijojnë përplot produkte të cilat prodhohen në Kosovë, e të cilat shpesh i marrin edhe me vete kur kthehen në vendet ku jetojnë.

Shija e specave të cilët kultivohen në Kosovë është e pazëvendësueshme. E këtë shije shqiptarëve që jetojnë në Zvicër po ua dërgon biznesmeni Rexhep Berisha, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.

Vetëm këtë sezonë ai ka importuar nga Kosova për në Zvicër rreth 50 tonë speca.

“Ky produkt sezonal është mjaft i kërkuar, e sidomos këtē vit, sepse shumica e mërgimtarëve nuk patën mundësi të shkojnë në Kosovë shkaku i pandemisë.

“Sa i përket sasisë së importit në Zvicer të produktit te freskët- specit somborkë, kemi imprtuar mbi 50 tonë”, tregon Berisha.

Ai thekson se kërkesat jane të vazhdueshme dhe jo vetëm nga shqiptarët.

“Konsumatorë kryesorë janë shqiptarët, por edhe shtetasit e vendeve të rajonit dhe të vendeve të tjera”, thotë Berisha.

Për furnizimin me speca nga Kosova, të cilët pastaj i dërgon në Zvicër, Berisha thotë se bashkëpunon me disa fermerë kosovarë, të cilët janë të specializuar në këtë lëmi.

Ndryshe, Rexhep Berisha që nga viti 2009 merret me importimin e produkteve të Kosovës për në Zvicër. Ai thotë se produktet ‘Made in Kosova’ kanë kualitet, dizajn dhe cilësi të lartë dhe kërkesa për to është në rritje e sipër në Zvicër.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT