“Nuk po na dëgjon asnjë”/ Naftëtarët e Ballshit në ditën e tretë të grevës, një prej tyre largohet në gjendje të rëndë

Në ditën e tretë të grevës së urisë që po zhvillohet nga naftëtarët e Ballshit, njëri prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore është detyruar ta lërë në mes atë për t’u zëvendësuar nga një koleg.
Gjithashtu disa të tjerë kanë shfaqur probleme shëndetësore si dhimbje koke, tension etj.
Naftëtarët ankohen se edhe Spitali i Ballshit nuk është interesuar për shëndetin e tyre.
Njëri prej grevistëve në një prononcim për mediat u bëri apel politikanëve të lënë mënjanë bindjet e tyre për t’ju ardhur në ndihmë naftëtarëve.
Ata janë shprehur se askush nga kompania apo nga shteti nuk është interesuar për ta.
“Në momentin që ne po flasim, gjendja jonë shëndetësore është e qëndrueshme. Vendi ku jemi akomoduar ka pak lagështirë dhe nuk i kemi kushtet e nevojshme. Nuk kemi pasur asnjë komunikatë nga institucionet shtetërore. Jemi 10 veta. Në grevë ky është një numër simbolik. Në grevë është i gjithë qyteti i Ballshit. Ne kërkojmë plotësimin 100 përqind të kërkesave tona” – tha një prej naftëtarëve.
Grupi i grevistëve po mbështetet edhe nga punëtorët e stacionit te pompimit të Poçemit, pasi edhe ata kanë paga te prapambetura. Punëtorët e Stacionit të pompimit të Poçemit kanë ardhur për t’i mbështetur, por ende nuk është vendosur nëse edhe ata do të futën në greve urie.