“Përfiton pension nëse ke 3 vdekje”- Duma reagon për familjen Cakoni: Makabër!

Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Grida Duma ka reaguar pas thirrjes për ndihmë që familja Cakoni, pas humbjes së dy familjarëve, burrit dhe vajzës së shtëpisë.

Me një shënim të gjatë në facebook, Dum akuzon qeverinë se i ka lënë familjet e prekura nga tërmeti pa ndihmë, ndërsa historinë e familjes Cakoni e konsideron “Makabritet”.

“Historia e Manjola Cakonit dhe e të birit Alesios, duhet dëgjuar e ridëgjuar sepse përmbledh fatkeqësisht thelbin e jetës së  shqiptarëve nën qeverisjen e Ramës”. Thotë Duma.

Ajo kërkon ndëshkimin e përgjegjësve, ndërsa thotë se qeveria hesht e përballë nj situate të tillë.

Statusi i plotë:

“Moj zonjë a desha unë të jetoj para fëmijës sim?! Jo! Zoti më la”.

Këto janë fjalët që vijojnë të të buçasin si çekan në mendje pasi dëgjon rrëfimin e një nëne që ka humbur vajzën e bashkëshortin nga tërmeti dhe një burokratuce  administrate i thotë: “ ti nuk e meriton pensionin, e anë marrë ata që kanë tre viktima, ti ke vetëm dy viktima”.

Vetëm dy viktima! Vetëm dy!

Pra po  thoshte,  duhet të të kish vdekur dhe një i tretë që të përfitosh pension!

Pensioni i jetës sipas qeverisë qenka një paketë treshe apo katërshe viktimash.

Vdekje në paketë përkundrejt një pensioni!

Ky është cinizmi më i rëndë që mund të gjesh në çfarëdo lloj qeverisje. Përfiton pension nëse ke vdekje në paketë treshe.

Makabritet!

Çdo fjalë e kësaj gruaje që shfaqet e jashtëzakonshme në qëndrim dhe forcë, godet me mprehtësinë që ka tehu i një thike të mprehur pas shpine.

Nënë e bir, janë të qartë që jetën e familjarëve nuk ia ka marrë natyra por qeverisja.

Historia e Manjola Cakonit dhe e të birit Alesios, duhet dëgjuar e ridëgjuar sepse përmbledh fatkeqësisht thelbin e jetës së  shqiptarëve nën qeverisjen e Ramës.

Tërmeti i Nëntorit i mori jetën babait dhe bijës 15 vjeçare, pasi në shtator godina kish marrë goditje të rënda dhe inspektorët megjithë verifikimit nuk i lajmëruan ata për rreziqet.

Qeveria i la banorët të jetonin po aty, pa asnjë paralajmërim.

Por nuk mbaron këtu; Rama i shfaqet “në derë”, që të bëjë një shfaqje me ta, në mes të mortit që u ra.

E merr Alesion e vogël, udhëton në Itali për të shkrepur fotot e takimit me futbollistë,   Kronika bën bujën e shoë-t,  ia servirin shqiptarëve,  përfitojnë reklamën,  e mënjëherë më  pas… e harrojnë Alesion.

Fjalët Alesios sot, djalit 11 vjeçar që duhet të ishte ende fëmijë,  dëshmojnë sa shumë e ka rritur atë fatkeqësia.  Ai ftohtësisht qetë thotë: “Nuk ja u fal… ata nuk na thanë të mos banonim aty dhe humba babin e motrën. …Ishte bukur të takoje Ronaldon por unë doja më mirë një pension…. “

Kishin  “në dorë” t’i shpëtonin por vendosën  t’i  lënë t’i zënë rrënojat, shqiptarë e fëmijë shqiptarësh. Kishin detyrë t’i  ndihmonin,  por shpenzuan taksat e shqiptarëve  për udhëtime dhe foto reklamash për Ramën. E në fund u lanë një pu(su)llë si sllogan elektoral “ti s’do jesh vetëm”.

Manjola e familjarët paguan vetë edhe tarifën e varrimit. Manjola e familjarët u lanë të të prisnin në vetmi faturën e marketimit.

Prej orëve të paraditës së sotme , dëshmia e Manjolës dhe të birit vijon trondit  shqiptarët.

Nga ai moment qeveria është fshehur! Nuk po gjen ende një strategji si ta mbulojë, si ta paketojë e ta varë në një çengel drejt opozitës këtë fakt  makabër .

Qeveria fshihet, hesht sepse kjo është historia e pambulueshme e dhimbjes dhe fatkeqësisë të vërtetë të gjithë shqiptarëve që u qeverisën nga një paliaçadë reklamash, që nuk e ndaloi as respekti ndaj jetës e vdekjes.

Përgjegjësit e jetës së shqiptarëve duhet të ndëshkohen!

Ata nuk do të përgjigjen vetëm ndaj Manolës e Alesios, por  ndaj jetës së seicilit që u degdis prej tyre.

Ata do duhet  të përgjigjen shpejt, shumë shpejt  përballë gjithë shqiptarëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT