“Po ikin më të mirët”/ Eksperti i emigracionit ngre alarmin: Kapitali human i vendit po pakësohet!

Nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-s kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian dhe të tjera rreth 30.5 mijë shqiptarë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Shumë e lartë është ikja e minorenëve. Të dhënat e Eurostat tregojnë se Franca është destinacioni më i preferuar për minorenët.
I ftuar në “Wake Up” në Top Channel, eksperti për emigracionin Ilir Gedeshi tregoi se si ka ndryshuar praktika e emigracionit ndër vite.
Ndryshe nga vitet ’90 kur largoheshin personat që nuk kishin mundësi ekonomike, sot po ikin të rinjtë e shkolluar dhe ata që kanë të ardhura.
“Është shqetësues numri i azilkërkuesve shqiptare. Prapa shifrave të frikshme, sigurisht që ka shkaqe ekonomike, por edhe shkaqe sociale. Megjithatë dua të theksoj që azilkërkuesit janë vetëm një segmenti i popullsisë shqiptare, meqenëse ka shumë të tjerë që aspirojnë ose kërkojnë të emigrojnë, kryesisht të rinj. Janë studentë që studiojnë në Shqipëri ose jashtë. Të tjerë që punojnë dhe kanë një vend të mirë pune. Pra si të thuash, kjo tregon që kapitali human i vendit po pakësohet, sepse po ikin më të mirët, të rinjtë dhe ata që janë e ardhmja e vendit”, tha Gedeshi.
Në periudhën janar 2019-gusht 2020 ka pasur 6,895 aplikime për azil nga minorenët më pak se 17 vjeç, që përbën rreth 29% të aplikimeve nën 34 vjeç, ose 23% të totalit.
Franca është destinacioni më i preferuar për minorenët nën 14 vjeç, me 3,460 aplikime për periudhën në fjalë, ose 50% e gjithë kërkesave nga minorenët. Preferenca tjetër është Gjermania (1,145 aplikime), më pas Greqia (695), Mbretëria e Bashkuar (525) dhe Italia (310)-
Kanë aplikuar për azil edhe 1,615 persona të moshës 17-18 vjeç. Mbi 60% e aplikimeve në total në vendet e BE+ në 20 muajt e fundit janë bërë nga meshkujt, sipas të dhënave të Eurostat.