Rama ironizon Bashën: S’është garë mes meje dhe shalqiut me provë që ka rezultuar kungull

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp sot me gazetarët foli për masat që qeveria ka marrë në kohën e pandemisë.
Ai iu përgjigj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sipas të cilit, qeveria nuk e ka menaxhuar si duhet situatën.
“Kapacitet profesionale që gjetëm ne kur na besuan shqiptarët, mjafton të kujtojmë atë kohë për të kuptuar që këtu nuk është betejë midis nesh dhe atyre, aq më pak mes meje dhe shalqiut me provë në krye të opozitës, është betejë mes nesh dhe nesh.
Ne kemi shumë për të përmirësuar dhe përshpejtuar. Pa diskutim, kjo është betejë me kohën dhe veten.
Për sa i përket asaj që kam thënë, e konfirmoj, që ne po bëjmë një sërë studimesh. Ata që nuk duan ta kuptojnë, nuk do ta kuptojnë asnjëherë. Por masat e marra nga qeveria, janë masa të mara në bazë të mundësive. Nuk i kishim dje mundësitë që kemi sot. Po s’merrem me shalqinjtë me provë që kanë rezultuar kunguj unë” tha Rama.