Rama: Ka ikur koha kur Shqipëria ulte pantallonat para fqinjëve

Ish-ambasadori Agim Nesho ka provokuar kryeministrin Rama duke i thënë se në këto 7 vite politika e tij e jashtme ka devijuar, aq sa perceptohet sikur “kokën e ka në Bruksel dhe bishtin në Anadoll.
Ai e ka pyetur Ramën nëse do të vazhdojë me politikën e tij anadollake, ndërsa kryeministri i është përgjigjur se është meritë e Partisë Socialiste dhe e kësaj qeverie që Shqipëria ka më në fund politikë të jashtme, drejton OSBE-në dhe ka një reputacion të madh.
Politika juaj ka devijuar, perceptimi është se kokën e keni në Bruksel dhe bishti në Anadoll. Në opinioni shqiptar mbeteni në kabinën mbrapa të Presidentit Erdogan në urën që mban emrin e sulltanit që ka bërë Perandorinë Otomane.Do e vazhdoni politikën uaj anadollake?
“Është nder i madh të jesh në sediljen e pasme dhe të kesh shofer presidentin e Turqisë. Nuk isha në karroceri, isha në sediljen e pasme. Politika e Jashtme e Shqipërisë e bërë më metodën “mbuloji dhe bëj sikur nuk i shikon” dhe “uli pantallonat se ke pelevrekë poshtë” e bërë gjithë këto vite nuk është më. Prej 7 vitesh Shqipëria ka politikë të jashtme. Falë nesh drejton OSBE-në, dhe ka një reputacion të madh. Politikë të Jashtme dinjitoze ku shqiptarët ulen në cdo tavolinë pa komplekse nuk ka pasur më përpara.”, ka thënë Rama.
Ndërkohë i pyetur nga gazetari Lorenc Vangjeli nëse mund t’i tregojë planet që ka Shqipëria për negociatat, Rama është përgjigjur se nuk ka ndërmend t’i tregojë asnjërit për këto negociata.
“Pala shqiptare nuk ka ndërmend t’ju tregojë juve asnjë plan se negociata transparente në floktoren e Ollgës nuk bëhen. Pala shqiptare nuk është hedhur në det dhe duke pasur dijeni se është Monika, nuk do mbytet se do e shpëtojë ajo.
Nëse ka një vend shprehja “mos i qani hallin kalorësit se po i varen këmbët” është Shqipëria në politikën e jashtme falë meje dhe partisë socialiste. Jemi e vetmja parti që nuk ka luajtur asnjëherë me interesin kombëtar”, u shpreh Rama.