Rama në Durrës apel nxënësve për Covid: Kini kujdes se do merrni të tjerët në qafë

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në shkollën “Leonik Tomeo” në qytetin e Durrës në një takim me nxënës e mësues.

Kreu i qeverisë tregoi mënyrat se si do të zhvillohet mësimi këtë sezon nën rrezikun e virusit Covid-19.

Rama u bëri apel nxënësve që të ruhen sa më shumë, se edhe pse vetë mund ta kalojnë sëmundjen, përbëjnë rrezik për familjarët më të moshuar.

“Është e pavërtetë që jeni plotësisht të mbrojtur. Larg qoftë rastet kur virusi ka goditur rëndë dhe ka marrë edhe jetë në këto mosha, janë të pakta por nuk mungojnë dhe kjo duhet mbajtur mirë parasysh.

E gjitha varet nga disiplina nga auto-disiplina për të respektuar rregullat e thjeshta. Se maska nuk mbahet vetëm në gojë por dhe për të mbuluar hundën. Aspekti tjetër është që fëmijët dhe mosha juaj janë transmetues, vërtetë mund ta merrni virusin dhe mund të mos keni pasoja por e transmetoni në shtëpi dhe larg qoftë e merr gjyshi, gjyshja, apo prindërit që kanë probleme shëndetësore, e kjo çon më pas deri në fatalitete. Kjo është sfidë e përbashkët. Mjafton njëri të gabojë e merrni në qafë të tjerët.

Masat janë marrë korrekte në çdo shkollë. Procedurat me dezifentikimin, ruajtjen e distancës, distancat në banka, janë përcaktuar të gjitha, por e gjitha varet nga faktori njerëzor. Për ju kjo është stres nuk diskutohet por edhe për mësuesit, sepse i shtohet dhe stresit që ka puna dhe jeta e mësuesit në ditë të zakonshme. Nëse drejtuesit do jenë në lartësinë e duhur, gjasat që nga kjo ne të kemi një goditje më shumë nga ajo e parashikuara, do të jetë 0.

Si në të gjitha vendet, me hapjen e shkollave, numrat do rriten, se sikur dhe të gjithë të jenë robotë në pjesën më të madhe të kohës, mjaftojnë disa lëvizje të pashmangshme që transmetimi të ndodhi.

Por duhet t’i mbajmë numrat brenda parashikimeve. Në këto kushte do jemi gjatë gjithë vitit. E di që është e vështirë. Kemi 15 minuta këtu dhe na lodh maska. Imagjino një vit të tërë, por kjo është një sfidë dhe duhet përballuar,” tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT